Assesi të vijë koha

Assesi të vijë koha për të shëruar dregëzat e vetvetes, plagët të cilat na e ndalin rritën e që tentojmë t’i heqim qafe duke gjetur fajtorin aty ku nuk është, kryesisht te tjetri. Ndër ato dregëza vendin më gangrenë e zë mungesa e unitetit, që ka për pasojë takatin e vogël në nivel kombi, atë takat që në kohëra diktaturash mendonim se e kemi, po akoma nuk i kishte ardhur dita për ta vënë në lëvizje.

Asokohe, pavarësisht dhunës së ushtruar mbi kurrizin individual dhe kolektiv, të paktën e dinim ku është kuçedra dhe ku hira jonë në shërbim të saj. Tani kanë ndryshuar gjërat dhe njëmendësia e sallamadishme demokratike ua ka mundësuar renegatëve ta bëjnë atë për të cilën dikur të lëçiste familja dhe shoqëria. Kjo është pasojë e rrnesës nën regjime të shumta, dezintegrimeve  në të gjitha poret e jetës, rezultat i mungëses së një qendreje ku do të hidheshin idetë e kultivimit të njëtrajtshëm të shpirtit dhe frymës sonë, ku do të tërhiqej vija e kuqe përtej së cilës asnjë kastravec nuk do të mund ta luante lojën e hafijeve në shërbim të hallkut, asnjë shimpanzë nuk do të guxonte të pshurrë publikisht heronjtë e shqiptarëve dhe kujteën e tyre historike, asnjë delinxhi të varrosë projektet rilindëse për kombin një, duke u fshehur prapa politikave kosmopolite dhe të drejtave të lirisë së mendimit.

Ç’emër t’u vëndojmë, ta zëmë ideve idiote për shuarjen e kombit, të imponuara kubarisht prej atyre që punojnë me ankth për forcimin e etnive të tyre edhe atëherë kur janë qullnajë racash të pabashkueshme? Si ta kuptojmë idenë e bashkësisë pa përkatësi etnike dhe pa vatan; idenë e kombit të ndarë në fragmente kombi, idenë e kombit me shumësi identitetesh, gjuhësh, zakonesh…, të propaganduar me aq zell prej talebanësh shqipfolës me kollare, që përputhet knap me propagandat e vjetra sllave për gjoja dallimet ndërmjet “allbanci-ve” të Shqipërisë dhe “shiptar-ëve” të viseve të mbetura jashtë kufijve të saj?

Përse nuk reagohet instutucionalisht kundër këtyre tendencave që dëmtojnë të sotmen dhe varrosin me fund të ardhmen tonë ndryshe? Përse i jepet gjithë kjo hapësirë veprimi hirës së kombit që na dëmton më keq se 100 Serbi bashkas? Përse u lihet shputave të këtij soji hapësira e pamasë mediale për ta bërë krunde gomerësh grurin shqiptar? A njeh bota një model të ngjashëm si ky yni, ta kemi të paktën si ngushëllim ditën e kijametit, që për budallenjtë vin më herët se për të tjerët dhe, së fundmi: a ka kush na mbron nga kazma gërryese e ngulur kobshëm mbi shpirtin dhe traditat e bukura shqiptare?

Sahati është dymbëdhjetë dhe nuk besoj të ketë njerëz që akoma s’i kuptojnë mekanizmat rrënues të qenies sonë, veçmas në viset e mbetura nën tutelat e të tjerëve, ku ka më pak mundësi luftimi të tendencave që na mbajnë në gjendje robtimi të turpshëm. Institucionet janë të vetmet që mund të zhveshin sojsëzët që na shfytyrojnë etnie, po ne fyromasit varemi prej mëshirës së kurkushëve, mosinteresimit dhe pafuqisë së politikave të korruptuara e të hipotekuara që na kanë sjellur në derexhe tjetersimi nga vetvetja shumë më shpejt se na e pret radakja.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button