Mbi tre muaj pritje për një kartelë shëndetësore

Qytetarët kanë paqartësi rreth marrjes së kartelave elektronike dhe kryerjes së shërbimeve mjekësore përderisa ende vazhdojnë ti përdorin librezat e vjetra. Deri sa qytetari ta merr kartelën elektronike nga Fondi shëndetësor, mjeku e ka për detyrë ti kryejë atij shërbimin me librezën e vjetër. Qytetarët e papunë thonë se diskriminues është fakti që ata të punësuarit janë pajisur me kartelë shumë më herët se ata, ndërsa këtyre u mbetet të presin.

Portalb foli me qytetarët të cilët presin pranë sporteleve të Entit Social, ata ankohen për vonesat dhe tregojnë se ata vonohen edhe më shumë se tre muaji.

Njëri nga ata që është i detyruar të presë në radhë pranë sportelit, N.H  thotë se ai ka aplikuar para 3 muajsh dhe akoma nuk e ka marrë kartelën.

”Kjo është e padrejtë pasi që ata që janë në punë i kanë marr në kohë, ndërsa ne të papunët  jemi lënë pas dore” thotë ai.

I pyetur nga Portalb pse vonohen kartelat elektronike shëndetësore, udhëheqësi i Fondit për shëndet publik njësia Tetovë, Ylber Aliu, tha se kompania e cila është duke i bërë këto kartela, ende është duke i grumbulluar të dhënat dhe më pasi do ti shtyp ata.

“Procedura e tyre mund të zgjasë edhe tre muaj por qytetarët marrin shërbimet e tyre. Ndërsa të gjithë ata të cilët deri më tani nuk i kanë marrë kartelat elektronike shëndetësore, mund ti marrin bonot për mjekim deri sa të pajisen me kartelat e reja”, thotë Aliu. Sipas tij, deri më tani nuk është përcaktuar ndonjë afat për marrjen e kartelave elektronike.

Ai tha se ata që janë në punë, kanë aplikuar nëpërmjet uebsajtit.

“Ne kemi shërbimet tona edhe në Internet dhe institucionet kanë aplikuar në mënyrë grupore. Kjo e ka lehtësuar procedurën, personat e autorizuar i kanë sjellë informatat e gatshme për të gjithë të punësuarit, ndërsa të papunët dhe qytetarët  tjerë i kanë sjellë të dhënat në mënyrë individuale këtu qëndron problemi” thotë Aliu.

Sipas tij, në njësinë rajonale në Tetovë, numri i atyre që nuk kanë aplikuar është i vogël dhe në sportelet e tyre nuk ka shumë pritje. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button