Aliu: BDI nuk e hapi gojën fare për rebalancin e buxhetit

Në 6 ditët e kaluara, nëpërmjet 219 amendamenteve të PDSH-së për rebalancin e buxhetit, shqiptarët kishin mundësi të shohin qartë e me fakte diskriminimin që ju bëhet në aspektin ekonomike, infrastrukturor, shëndetësor, kulturor, arsimor, mos hapja e vendeve te reja të punës etj. Diskriminim në baza etnike që pa përjashtim prek çdo sferë të jetës së tyre, diskriminim që u bën kjo qeveri e BDI-së me partnerin e saj VMRO-DPMNE, deklaroi në një pres-konferencë deputeti i PDSH-së, Gazmend Aliu .

Sipas tij, edhe rebalanci, si çdo buxhet dhe rebalanc tjetër që miratohen nga ana e BDI-së, vazhdojnë të jenë fatkëqija e shqiptarëve, sepse BDI përmes edhe këtij rebalanci shton varfërinë dhe mjerimin te shqiptarët. Edhe me këtë rebalanc shkelet e drejta e shqiptarëve për një jetë më dinjitoze.

“Ta  shohësh çdo ditë para vetes popullin tënd se si i merret djersa, gjaku dhe kafshata e gojës, e të mos e çash kokën fare, të heshtësh e të përkrahësh këtë përdhosje ndaj popullit tënd siç bënë deputetët e BDI-së për aq ditë sa zgjati debati për rebalancin e buxhetit, kjo është nënshtrim dhe tradhti.

BDI edhe sivjet për shqiptarët, nuk e hapi gojën fare. BDI kësaj radhe përzgjodhi Stavreskin i cili foli me gojën e z.Ali Ahmetit, Musa Xhaferit, Abdylaqimit dhe ministrave të tjerë të Qeverisë dhe me aminin në heshtje të deputetëve të BDI-së që mërziteshin edhe të vinin në sallë, u tha jo çdo projekti që PDSH kërkoi për shqiptarët. Kjo është edhe një dëshmi që z.Ali Ahmeti  bashkë me ministrat e tij janë të kapur nga korrupsioni dhe krimi i organizuar”, theksoi Aliu.

Në këtë mënyrë, ai vlerëson se BDI vendosi që ti lërë pa ujë Likovën, Tetovën, Zajasin,Gostivarin e Strugën. Vendosi që Çairin ta lërë si geto me gropa e lloç, Dibrën e Cërnilishten ti lërë me rrugë të shkatërruar, Sarajin, Studenicanin, Haraçinën, Vrapcishtin, Colopekun, Tearcën, Bogovinjen e Zhelinën, ti lërë pa perspektivë ekonomike me rritje të varfërisë. Buxheti reflekton politikat ekonomike dhe zhvillimore të një shteti dhe si i tillë ai nuk guxon të jetë diskriminues.

“Në fund, PDSH do të vazhdojë të kërkojë ndarjen e drejtë dhe të barabartë të buxhetit dhe mekanizmave ligjore që garanton këtë ndarje të drejtë”, shtoi Aliu.

Lajme të ngjashme

Back to top button