Studentët: Le të reformohet USHT-ja, nuk na duhet edhe një “shtab partiak”

Lajmi për hapjen e universitetit të ri në Shkup ka ngjallur reagime nga studentët shqiptar të Shkupit. Ata nuk janë të pajtimit për këtë projekt, thonë se ka qëllime politike dhe jo për ta ngritur arsimin apo për të hapur një institucion të dijes. Në reagimin e tyre ata kërkojnë që fillimisht të bëhen reforma në USHT. “Dështimi i USHT-së nuk mbulohet me hapjen e universiteteve të reja,  ne na duhet kuadro e cila nuk do t’i shërbej politikës në asnjë mënyrë, por vetëm arsimit dhe dijes.” thonë studentët për Portalb.

Kryetari i “USSH”-së Arben  Hajrullahu në reagimin e tij për këtë projekt thotë se Unioni Studentor Shqiptar në parim vazhdimisht e përshëndetë hapjen e universiteteve të reja, por jo nga subjekte politike sepse ato të njëjtat i shndërrojnë në shtabe politike e jo në institucione arsimore.

“Duhet të përshëndetet dhe përkrahet çdo nismë për institucione të reja arsimore, por të iniciuara vetëm nga intelektual të dëshmuar dhe a-partiakë” thotë për Portalb, Hajrullahu.

Më tej, Nehar Aliu një student i shkencave politike në USHT është i po të njëjtit mendim duke e parë këtë ide si vepër të tepruar.

“Paraqitja e idesë për hapjen e universitetit të ri shtetëror aktualizohet në një kohë të papërshtatshme karshi çështjeve më me prioritet që i preokupojnë shqiptarët. Tendenca për të vënë në hije situaten faktike dhe dështimet e shumta në “Universitetin Shtetëror të Tetovës” me krijimin e një universiteti të ri do të vuloste shuarjen e njërit prej tyre” shprehet ai për Portalb.

Tendencat për hapjen e një “shtabi” politik e jo një universiteti të mirëfilltë nuk i sheh si të arsyeshme edhe Abdylvehab Ejupi ku mes tjerash thotë “Le të themi ” në rregull!”, do të ketë universitet të dytë shtetërorë për shqiptarët në Shkup! Por, fillimisht dhe paraprakisht: ata që e shkatërruan cilësinë e arsimit në UT-në e fituar me sakrificën e shqiptarëve të Maqedonisë, institucion për të cilin u derdh edhe gjak dhe për të cilin bijtë e këtijë populli ranë edhe dëshmorë; ata që bënë që fakultetet e disperzuara në mënyrë rapide t’a tejkalojnë “misionin primar” që kishin-pra, mundësia për arsimim të njejtë/barabartë për të gjithë, dhe shpejtë ata fakultetet e disperzuara i shndërruan në “mundësi” për marrje/blerje të diplomave në mënyrë të njejtë/barabartë – (me përjashtime) pa dije dhe vetëm me një librezë parti; ata pra, i shndërruan universitetet në shtabe partiake, duke punësuar pensionistë apo të dëgjueshëm partiakë si ligjërues, e duke prodhuar nga to (me përjashtime) ushtarë partiak” shprehet ai për Portalb.

Dyshimi se universiteti i ri do të jetë një institucion ku mësimdhënësit do të jenë të punësuar vetëm nga partia dhe se profesorët e mirëfilltë do të shpërndahen gjithandej i ka shqetësuar studentët. Nehar Aliu thotë që hapja e universitetit të ri ka gjasa që të paraqitet një mundësi e dytë për inkuadrimin e mësimdhënësve duke përfituar honorarë shtesë, por do të nxis edhe shpërndarje të profesorëve kualitativ që janë të paktë në numër.

Ndërkaq Abdylvehab Ejupi këtë fenomen e komenton si një shtab partiak ku rektorë, dekanë, profesorë e asistentë do të punësohen nëpërmjet nënës parti.
Nga ana tjetër, Arben Hajrullahu thotë që duhet t’u jepet hapësirë kuadrove të reja të cilat janë a-partiak dhe nuk duhet të ketë vend për nepotizëm.

Sipas studentëve fenomenin e politizimit, nepotizmit atë të blerjes së diplomave dhe shumë fenomene të tjera të cilat janë pjesë e sistemit arsimor në USHT duhet që t’i zhdukin.

Studentët i bëjnë thirrje partisë në pushtet që këtë propozim ta heq dhe një ditë e më parë t’i largojë duart nga arsimi për ta lënë atë të funksionoj nga njerëz kompetent të cilët do ta çojnë atë përpara.

Suad Bajrami, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button