102 vjet nga copëtimi i trojeve shqiptare

Konferenca e ambasadorëve në Londër, mbajtur në 1912-1913 dhe njohur ndryshe edhe si “Konferenca e Paqes në Londër”, ishte një takim ndërkombëtar i gjashtë Fuqive të Mëdha të asaj kohe (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia).

Këto fuqi u mblodhën në dhjetor 1912 si pasojë e sukseseve të ushtrive të Ligës ballkanike kundër Perandorisë Osmane në Luftën e Parë Ballkanike. Në veçanti konferenca u përpoq të luante rolin e arbitrit ndërmjet fuqive ndërluftuese për çështjen e shpërndarjes së tokave dhe gjithashtu përcaktoi të ardhmen e Shqipërisë, e cila deklaroi pavarësinë gjatë Luftës së Parë Ballkanike.

Konferenca filloi punimet në shtator 1912 në St James’s Palace nën drejtimin e Sir Edward Grey. Sesionet e tjera të konferencës vazhduan më 16 dhjetor 1912, po u ndërprenë pa ndonjë konkluzion më 23 janar 1913, kur në Perandorinë Osmane u zhvillua një grusht shteti.

Më 30 maj 1913, konferenca kishte rimarrë punimet dhe nënshkroi Traktatin e Londrës, një marrëveshje sipas së cilës Perandoria Osmane hiqte dorë nga të gjitha territoret në perëndim të kufirit Enos-Midia. Pas shumë diskutimesh, më 29 korrik 1913, ambasadorët morën një vendim formal për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane, shkruan Portali Albeu.

Si rezultat i presionit nga Greqia dhe Serbia konferenca mori vendimeve që prekën gjysmën e territorit të Shqipërisë së pavarur, të banuar kryesisht nga shqiptarë etnikë dhe rreth 30% e shqiptarëve mbetën larg kufijve të shtetit shqiptar të sapokrijuar. 40% e popullsisë shqiptare u la jashtë kufijve të Principatës së Shqipërisë. Në veçanti Vilajeti i Kosovës iu dha Serbisë dhe Çamëria Greqisë.

Më 1912, trojet ku shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë (trungu etnik), rroknin një sipërfaqe prej gati 52 mijë km katrorë, me rreth 1.550.000 banorë, nga të cilët rreth 1.330.000 shqiptarë. Përveç këtyre, në viset e brezit anësor banonin edhe rreth 185 mijë shqiptarë, që nuk përbënin shumicën e popullsisë së vendit në këto vise.

Numri i përgjithshëm i popullsisë shqiptare të trungut etnik dhe të brezit anësor arrinte kështu në 1.515.000.
Mirëpo, kjo gjendje nuk u mor parasysh nga ana e Fuqive të Mëdha. Kufijtë politikë, që u caktuan më 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve të Gjashtë Fuqive të Mëdha në Londër, përfshinë brenda Shqipërisë afërsisht gjysmën e trojeve shqiptare, rreth 28 mijë km katrorë, me një popullsi prej 740 mijë banorësh. Shumicën dërmuese (rreth 95%) e përbënin shqiptarët, kurse pakica përbëhej nga minoritete të vogla greke (2,6%), vllahe (2,1%) dhe maqedonase (0,3%).

Pjesa tjetër e trungut etnik, duke përfshirë edhe viset që u shkëputën nga Kongresi i Berlinit (1878) në vitet 1880, një popullsi prej 802 mijë banorësh (nga të cilët rreth 622 mijë qenë shqiptarë), mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë.

Prej tyre, pjesa më e madhe hyri nën zgjedhën e Serbisë, gati 20.000 km katrorë. Sipas disa studiuesve, nën sundimin serb kanë mbetur 24.000 km2 katrorë territor shqiptar. Në një masë më të vogël, nën atë të Greqisë – rreth 4000 km katrorë dhe të Malit të Zi rreth 2000 km katrorë.

Me këta kufij mbetën jashtë Shqipërisë trojet shqiptare të Kosovës, të Dibrës, të Maqedonisë së sotme perëndimore, të Çamërisë dhe viset e shkëputura më parë (Ulqini me rrethinën e vet, Tivari, Hoti, Gruda, Plava, Gucia, Tuzi me Malësinë). Këto vise përfaqësonin krahinat bujqësore më pjellore dhe zinin sipërfaqen agrare më të madhe të trojeve shqiptare. Me shkëputjen e tyre, brenda kufijve të Shqipërisë mbetën krahinat më të varfra, në pjesën më të madhe vise malore, kurse tokat fushore ishin kryesisht vise moçalore.

Ka studiues që thonë se me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve, mbeti jashtë Shqipërisë 2/3 e trojeve etnike shqiptare.

Lajme të ngjashme

Back to top button