Komisioni parlamentar viziton DSK-në, shtrohet edhe çështja e Kumanovës

Në vizitën e radhës të Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e shërbimeve të inteligjencës, në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, mori pjesë edhe deputeti i BDI-së Zulfi Adili, i pajisur vetëm pak ditë më parë me certifikatën e sigurisë. Ndërkohë që anëtari tjetër shqiptar nga radhët e PDSH-së Ernad Fajzullahu, nuk mori pjesë në këtë vizitë. Pas takimit prej rreth 1 orë e gjysmë me drejtuesit e DSK-së, Adili theksoi se ka hapur të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë e vendit dhe rajonit. Ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, Adili aludoi se në tryezë janë shtruar edhe dilemat rreth aksionit të Kumanovës, njofton Alsat-M.

“I hapëm të gjitha temat të cilat kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarëve të Maqedonisë, sigurinë e vendit dhe kanosjet që ndoshta ka rajoni dhe Maqedonia si shtet. Shqiptarët janë në vendin e vet, në shtëpitë e veta dhe kërkojnë transparencë dhe siguri pikërisht nga këto institucione…. Ta kuptojnë të vërtetën se DSK është vetëm një institucion që duhet të kujdeset për sigurinë e qytetarëve, sigurinë e pronës të qytetarëve dhe sigurinë e vendit. Dhe mos jenë mbi të gjitha ashtu siç pretendojnë të jenë”, deklaroi Zulfi Adili, anëtar i Komisionit.

Komisioni parlamentar megjithatë, nuk inspektoi pajiset dhe punën e DSK-së, por thjesht zhvilloi biseda me drejtuesit e tij. Ndërkaq edhe pse është hapur çështja e aferës së përgjimeve, Antonio Milloshoski nuk deshi të jepte hollësi rreth kësaj teme.

“Ajo pjesë që është më aktuale për opinionin lidhur me aferën e fundit politike dhe të zbulimit është pjesë e një procesi gjyqësor dhe të prokurorisë publike dhe për hollësitë e tjera duhet t’i drejtoheni këtyre institucioneve”, tha Antonio Milloshoski, anëtar i Komisionit.

Komisioni ka kërkuar sqarim rreth kompetencave të DSK-së për ndjekjen operative të personave të dyshuar si të rrezikshëm për shtetin. DSK-ja dhe Agjencia për zbulim deri në fund të muajit gusht duhet të dorëzojnë raport për punën dhe funksionimin e saj.

Lajme të ngjashme

Back to top button