LR-PDSH: BDI dëshiron të bëjë edhe një universitet për punësime partiake!

Departamenti për Arsim dhe Shkencë në LR-PDSH, lidhur me idenë e BDI-së për hapjen e një Universiteti në Shkup ka vendosur të reagoj, duke dhënë arsye të fuqishme se edhe kjo ide e ‘integristëve’, është një manipulim që u bëhet shqiptarëve dhe sidomos është një  kuazi-projekt i BDI-së që apriori është i gjykuar të dështoj.

Hapja edhe e një Universiteti , nuk do kishte asgjë të keqe sikur BDI gjatë gjithë kësaj periudhe qeverisjeje të dëshmonte se vërtetë ka kontribuar për përmirësimin e cilësisë dhe standardit të arsimit dhe arsimimit të shqiptarëve. Mirëpo, realiteti është krejt ndryshe  e që duket në çdo institucion arsimor në mjediset shqiptare ku arsimi është degraduar tej mase, prandaj kjo na obligon që të reagojmë edhe për këtë mashtrim të radhës që e përgatit BDI për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Departamenti për Arsim dhe Shkencë në LR-PDSH, reagon ndaj kësaj ideje, sepse edhe ky manipulim politik që u bëhet shqiptarëve nga ana e BDI-së, nuk  është i dedikuar që të përmirësojë cilësinë e arsimimit të shqiptarëve, por është vetëm një vazhdimësi e propagandës shumëvjeçare që e bënin ata me Universitetin Shtetëror të Tetovës, duke e përvetësuar dhe shndërruar këtë projekt kombëtar, në interes partiak për qëllime  të politikës  së tyre ditore. Prandaj, ne gjykojmë se edhe ideja e themelimit të një Universiteti tjetër ka po këtë qëllim manipulativ politik për interesa partiake dhe klanore, duke luajtur edhe me kartën e punësimeve të anëtarëve të saj në këtë institucion, pa mos llogaritur dëmin afatgjatë që i shkaktohet arsimit sipëror të shqiptarëve me kuadro të tilla jomeritore.

Shqiptarët në Maqedoni, nuk kanë edhe aq nevojë për themelim të një institucioni tjetër të arsimit sipëror sa që kanë nevojë për ngritjen e cilësisë së arsimit në universitetet ekzistuese e sidomos në USHT, sepse dështimet me disperzimet nëpër qytetet me shumicë shqiptare, që çuan në ndërprerjen e funksionimit të tyre qoftë në Strugë, Dibër, pjesërisht në Shkup, Kërçovë e Kumanovë, janë pikërisht rezultat i paaftësisë projektuese dhe menaxhuese të BDI-së, e që në masë të konsiderueshme ka ulur cilësinë e mësimdhënies dhe ka degraduar nivelin akademik të këtij institucioni.

Departamenti për Arsim dhe Shkencë në LR-PDSH me këtë reagim ja bën me dije opinionit shqiptar se edhe me këtë ide kamufluese,  BDI tenton që të mbulojë dështimet e saja në të gjithë segmentet shoqërore, e sidomos në atë të arsimit dhe kulturës, që e fakton edhe rasti i para disa ditëve kur BDI nuk ishte në gjendje madje as edhe për dy vite radhazi të emërojë një drejtor shqiptar në  Teatrin për fëmijë dhe rini në Shkup, por emëroi Dramaturgun maqedonas Bratisllav Dimitrov-Bato i njohur edhe si “Branitell” i VMRO-DPMNE-së. Prandaj edhe ideja e themelimit të një institucioni tjetër sipëror siç pretendon BDI, nuk garanton se në krye të tij BDI mund të emërojë ndonjë “Brate-sllav” tjetër dhe sërish të mashtrohen dhe zhgënjehen shqiptarët.

Për në fund kërkojmë nga BDI që të ndërpres lojërat e këtilla për qëllime politike dhe propagandistike, sepse nga ide të këtilla dhe të ngjashme siç di t’i plasoj vetëm BDI, dëmet për shqiptarët janë shumë të mëdha, afatgjate dhe gati të pariparueshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button