SHPRESA E THYER

Te ne u arrit njëfarë marrëveshje midis LSDM-së dhe VMRO-së. Ndonëse në negociata kishte edhe pjesëmarrje të dy partive shqiptare – BDI-së dhe PDSH-së, ato ishin vetëm një dekor i zymtë, pa marrë parasysh deklaratat e përfaqësuesve të partisë shqiptare në pushtet për „sukseset“ e tyre në këto negociata (nuk ishin bisedime). Vetëm VMRO-ja dhe LSDM-ja i forcuan pozitat e tyre politike. Ne mbetëm duarthatë e në aut.

Formimi i komisioneve të ndryshme e të niveleve të ndryshme, emërimi i disa të dërguarve specialë për të ndërmjetësuar ose për të akuzuar shqiptarët nga ana e bashkësisë ndërkombëtare në hapësirat e ish Jugosllavisë dhe në Shqipëri, tipa si Dik Marti e Karla del Ponte,  janë bërë punë krejtësisht e rëndomtë deri në atë shkallë sa njeriut i vjen të thotë – punë e madhe fort!  Prej këtyre ekejakeve të  komisioneve e përfaqësuesve të ndryshëm  sa ka pasur suksese e drejtësi, aq më shumë ka pasur dëme. Veçanërisht janë ndëshkuar më të dobëtit, si boshnjakët që mbetën në një federatë të vogël absurdi me kroatët dhe, kuptohet shqiptarët, të cilët edhe pse patën fatin ta largojnë kolonizatorin serb nga Kosova, gjatë gjithë kohës e shpenzojnë energjinë me intrigat politike të serbëve, duke e dëmtuar ekonominë dhe trashëgiminë e tyre kombëtare dhe duke e sjellë popullin shqiptar në derxhen e shkopit të lypësit. Këtë, a s’e sheh vallë BE-ja?

Ajo dëshira e kahmotshme e intilegjencisë shqiptare, ajo ëndërr e madhe për liri kombëtare që mbahet me ideologjinë e rilindësve,  ajo nevoja njerëzore që të dalë në shesh e vërteta për të gjithë atë tragjedi që na ka ndodhur nga formimi i shteteve ballkanike (e këndej)  mbeti e parealizuar. Zëri ynë edhe sot e kësaj dite nuk ia del t’i kapërcejë kufijtë kombëtarë, për dallim nga serbët vajin e trumbetimet herëkeqe e të cilëve i tumirin BE-ja dhe shumë shtete të tjera (përveç SHBA-ve) që kanë qenë gjithmonë seriozë dhe të drejtë ndaj çështjes shqiptare.

Por neve nuk na zgjojnë kambanat. Ato bien kot. Ne nuk jemi duke parë sa është sahati. Nuk i analizojmë mirë të gjitha këto vite, veçmas pas rënies së komunizmit dhe pas dramave që solli agresioni serb në shumicën e hapësirës së ish Jugosllavisë. Ne do të ishte dashur të mësojmë nga këto ngjarje tragjike që të mos lejojmë të na përsëriten të tilla, të përgjakshme, me pastrime etnike dhe krime masive, kurse bashkësia ndërkombëtare do të duhej ta frenonte propagandën e tmerrshme antishqiptare serbe që e nxit urrejtjen patalogjike kundër nesh.

Çdo raport që shkon nga viset tona dhe çdo raport që vjen nga institucionet e BE-së dhe të Rusisë duhet të analizohet e të ndiqet pikë për pike në mënyrë që të jemi të përgatitur për çdo vendim politik të BE-së për Ballkanin. Njëherësh këto raporte duhet të jenë më të qarta dhe të jenë decide që më në fund t’ia bëjnë me dije publikut evropian se kush ishte viktima e kush agresori, në mënyrë që mos të formohen gjithafrë gjyqesh për ndjekjen e viktimave. Pas gjithë kësaj duhet të bëhen presione për arritjen e një paqjeje afatgjatë, të cilën, fatkeqësisht nuk e kemi, por e kemi agresionin e vazhdueshëm propagandistik serb kundër boshnjakëve, shqiptarëve, kroatëve dhe pjesërisht edhe sllovenëve. Para syve të Evropës duket urrejtja fetare dhe kombëtare e serbëve ndaj këtyre popujve, kurse BE-ja sa s’i lut serbët të hyjnë në BE. Kurse prej nesh kërkohet që të falim çdo krim të tyre, kur nënat shqiptare ende vajtojnë për fëmijët e humbur, kur nuk dihet numri i grave të përdhunuara.

Bashkësia ndërkombëtare nga ne pret t’i falim agresorët dhe kolonizatorët serbë, por para kësaj duhet të arrijmë pajtim kombëtar. Mirë është t’i ndalojmë që konfliktet dhe urrejtjet ndëretnike të barten nga një brez në tjetrin, por mungon angazhimi serioz i BE-së për të ndihmuar në pajtimin kombëtar. Ne kemi halle të natyrës kombëtare që s’ia dolëm t’i zgjidhim me decenie.

Kohëve të fundit në planin e pajtimit kombëtar na paraqiten disa forma shumë të liga të përçarjes kombëtare: vrasjet e njëpasnjëshme të aktivistëve partiakë për interesa e shkaqe të ndryshme, presionet dhe fërkimet e sektave të ndryshme fetare dhe ajo më e dhembshmja: grindja e turpshme dhe moskomunikimi normal midis partive në tërë hapësirën etnike shqiptare. Kështu, bie fjala Partia Socialiste dhe Partia Demokratike e Shqipërisë nuk e kanë ndërmend të ulen  t’i bisedojnë e t’i ndajnë çështjet shtetërore nga ato partiake. Në Kosovë – e njëjta gjë. PDK-ja bën çmos për ta mbajtur pushtetin, pa marrë parasysh pasojat. Në Maqedoni vazhdimisht dëgjojmë akuza e kundërakuza midis BDI-së dhe PDSH-së dhe të gjitha këto parti të hapësirës etnike shqiptare  së bashku s’e panë të arsyeshme ta bëjnëë një samit në Tiranë ku do të zgjidheshin njëherë e përgjithmonë zënkat paradoksale ndërpartiake. Le të angazhohen që ta kemi më në fund një harmoni kombëtare, le ta dinë në Shqipëri se kosovarët  bashkë me shqiptarët e Maqedonisë, të Luginës së Preshevës janë poaq shqiptarë sa janë edhe shqiptarët e Shqipërisë. Puna e faktorit politik duhet ta amortizojë urrejtjen dhe ndarjet krahinore që janë reale midis shqiptarëve. Ta kemi një harmoni lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me ekzistencën e popullit shqiptar në këto anë.

Tash për tash situata është e këtillë: shqiptarët nuk e njohin njëri-tjetrin. Janë të largët me njëri-tjetrin ashtu siç janë me popujt tjerë. Ndonjëherë më shumë dimë për trashëgiminë serbe se sa për atë shqiptare. Për vete, jam tronditur kur gjeta intelektualë të Shqipërisë të cilët nuk dinin gjë për Papa Kristo Negovanin, për Murat Isakun, për Teki Dervishin, për Beqir Musliun, për Mark Krasniqin. Kam përshtypje se më shumë dinin për disa figura arabe e greke se sa për figurat tona. Kam dëgjuar se Halil Xhibranin shqiptarët e lexojnë  me andje duke menduar se është mysliman, ndonëse ai, anise quhet Halil është i krishterë me nënë e baba.

Mendoj se kambanat bien pareshtur dhe tregojnë se ora është dymbëshjetë pa pesë sa i përket bashkimit kombëtar në ato segmente që lidhen me ekzistencën e kombit e të gjuhës sonë.

Shpresoj se kryeministri shqiptar do ta ketë në agjendën e tij bashkimin kombëtar dhe qetësimin jonormal të emocioneve negative të partive shqiptare në tërë hapësirën etnike shqiptare. Shpresoj. Tjetër shteg nuk duket.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button