Universiteti i Shkupit, biznes i BDI-së i maskuar në “kauzë kombëtare”

Pas lajmit për planet e partisë shqiptare në pushtet për të hapur universitet të ri shtetëror në Shkup ka pasur mjaft reagime lidhur me idenë dhe mundësinë e reale të realizimit të se njëjtës.

Ish ministri i arsimit, Sulejman Rushiti këtë  ide e cilëson se është dhënë për përfitime personale, si dhe paralajmëron se do të dëgjojmë lloj lloj idesh qesharake duke marr parasysh që është fushate parazgjedhore dhe subjektet nuk kanë ndonjë program konkret zhvillimor.

“Vlerësoj qe ideja e tillë nuk ka për baze ndonjë analizë të mirëfilltë. Është në vazhdën e ideve për zgjedhje dhe përfitime personale për të cilat u dëshmua se ekziston ky grup interesi. Tani, do të dëgjojmë lloj lloj idesh qesharake duke marr parasysh që është fushate parazgjedhore dhe subjektet nuk kanë ndonjë program konkret zhvillimor.  Pra, demagogji e kulluar!”, tha për Portalb, Rushiti.

Profesori Nazim Rashidi thotë se për momentin do të vazhdojë të shtrohet çështja se pse duhet një universitet tjetër dhe jo përforcimi i atyre aktualëve.

“Sfida e shoqërisë shqiptare është tashmë profesionalizmi dhe nëse hapja e universiteteve kontribuon në këtë drejtim parimisht kjo është në rregull. Por pa dashur të spekuloj kur s’ka shumë njoftime ajo që mund të thuhet tani është, se nëse do të jetë edhe një universitet që do të bëjë konkurrencë atyre ekzistuesve dhe ku cilësia do të jetë e njëjtë, atëherë do të kemi vetëm një riciklim të së njëjtës situatë.  Do të vazhdojë edhe më tej trendi ku studentët shqiptarë të studiojnë maqedonisht, siç po ndodh. Në një rast të tillë fondet do të duhet të përdoreshin për përforcimin e universiteteve aktuale. Por nëse do të jetë një universitet me degë të reja, me profile konkurrente dhe realisht me platforma studimore inovative, atëherë do të duhej të shihej me një dritë tjetër. Edhe pse për momentin do të vazhdojë të shtrohet çështja se pse duhet një universitet tjetër dhe jo përforcimi i atyre aktualëve?”, tha për Portalb, Rashidi.

Gazetari Xhelal Neziri thotë për Portalb se arsimi i lartë tani më nuk mund të jetë një kauzë e madhe kombëtare, por gjithnjë e më shumë po bëhet biznes.

“Arsimi i lartë tani më nuk mund të jetë një kauzë e madhe kombëtare, por gjithnjë e më shumë po bëhet biznes. Andaj nuk është absolutisht asgjë të hapësh universitet sot, por çështja është kualiteti i universiteteve aktuale shtetërore apo private. Kauzë sot është departizimi i universiteteve, dekontaminimi i tyre nga parazitët partiak që kanë blerë titujt shkencorë nëpër piceri e bare nate, hapja e dyerve për kuadrot e mirëfilltë, hapja e bibliotekave universitare, ndërtimi i konvikteve studentore dhe reformimi rrënjësor i arsimit të lartë në Maqedoni. Nuk besoj se hapja e një universiteti të ri do ta arsyetojë pozitën e USHT-së dhe universiteteve private në gjuhën shqipe në rang listat e universiteteve të Maqedonisë apo rajonit. Dy universitete të këqija nuk përbëjnë një të mirë” tha Neziri.

Nga ana tjetër akademiku Izet Zeqiri, thotë se e gjithë kjo bëhet për motive politike.

“Nuk kam koment. Në vend të konsolidimit të USHT-së me buxhet, me profesorë,  këta e goditin përsëri këtë institucion të lartë arsimor. Kjo bëhet për motive politike”, tha Zeqiri për Portalb. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button