Përderisa Shkupi freskon edhe palmat, Tetova digjet për ujë

Përderisa një pjesë e palmave të mbjella në Shkup freskohen me spërkatëse të financuara nga paratë e popullit, lagjet që gjenden në vendet më të larta në Tetovë thuajse 24 orë janë pa ujë thonë dëshmitarët për Portalb.

Qyteti i Shkupit kujdeset edhe për palmat e sapo-mbjella në Bulevardin “Teodosij Golloganov” ndërsa në Tetovë në këto temperatura që arrijnë deri më 40 gradë celsius nuk ka as ujë.

“Ne që jetojmë në pjesën e lartë të qytetit nuk kemi aspak ujë, verës është shumë më keq. Shkojmë mbushim ujë me bidonë te familjarët e tjerë të cilët kanë ujë vetëm disa orë në ditë” thotë për Portalb një banor.

Nga Ndërmarrja Publike Komunale për agjencinë “Meta” thonë se qyteti ballafaqohet me mungesë uji për shkak të përdorimit jo-racional të ujit.

“Uji në Tetovë në këtë periudhë të vitit kur është shumë nxehtë përdoret për të larë rrugët, ujitur arra dhe oborre. Inspektorët do të dalin në terren dhe do të dënojnë secilin që harxhon në mënyrë joracionale ujin. Aktualisht në Tetovë furnizimi me ujë nga burimet e Malit Sharr arrijnë sasinë prej 400 litra në sekondë “shprehet Samedin Abedini, udhëheqës i sektorit për ujë dhe kanalizim në NPK.

Ndryshe, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Nurhan Izairi së bashku me  kryetaren e komunës së Tetovës Teuta Arifi dhe me zëvendëskryeministrin përgjegjës për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit Musa Xhaferi, në fillim të korrikut vizituan lokalitetin ku po zhvillohen aktivitetet ndërtimore për realizimin e fazës së dytë të ndërtimit të sistemit të  furnizimit me ujë në Tetovë.

“Gjatë vitit 2014 janë realizuar 50% të punëve të parapara ndërtimore, ndërsa përfundimi i tërësishëm i projektit është paraparë deri në fund të këtij viti. Vlera e përgjithshme investuese e  këtij projekti  është 2 milionë euro – deklaroi ministri Izairi.

Lajme të ngjashme

Back to top button