Përplasje mes Ziadin Selës dhe botuesit të gazetës Lajm, Hajdari

Kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela në një postim në Facebook ka reaguar ndaj një shkrimi të botuar në gazetën “Lajm” në lidhje me vrasjen e Argëtim Asanit në Strugë, në të cilin mes tjerash përmenden lidhjet e Ziadin Selës me tash më të ndjerin, Argëtim Asani, njofton Koha.
“E meqë jam figurë publike dhe nuk duhet të mbaj të fshehta opinionit dhe që pronari i gazetës lajm z.Fejzi Hajdari ta ketë të qartë se sa të njohur e kam të ndjerin, atëherë po i përgjigjem publikisht! E njoh po aq sa e njoh edhe një person nga Kumanova. Besoj ju kujtohet përpara një viti kur ju bashkë me gazetarin, për mua i respektuar Isen Salihun, më kërkuat të takohemi në Strugë dhe unë me kënaqësi pranova. Kur erdhët, kishit edhe një të tretë që unë nuk e njihja dhe që në bisedë e sipër më the se është mik i juaj dhe i Mijallkovit. Mbaje mik për vete Fejzi Hajdari, se mua më vepron gjeni e më krijon me automatizëm distancën nga miq të tillë”, shkruan mes tjerash në postimin e tij në FB, Zijadin Sela.

Ndërkohë, po ashtu nëpërmjet Facebook-ut ka reaguar botuesi i gazetës Lajm, i cili duke mos mohuar pohimet e Selës, ka shprehur pakënaqësinë e tij që Sela ia ka përmendur shokët. “Unë ju kam respektuar si mik, si lider partie, si personalitet publik…, dhe ashtu do të vazhdoj t’ju respektoj, por me habiti reagimi juaj. Unë asnjëherë nuk do t’i përmendi shokët tuaj (me backgraund të llojllojshëm, kuptohet derisa nuk më sjellni në pozitë t’i përmendi) se ;farë të kaluar kanë dhe kush janë! Këtë s’e bëj, sepse e quaj dobësi…”, thotë në reagimin e tij Hajdari.

Ai në vazhdim i kujton Selës se ka dashur edhe të zhvillojë biznes me mikun e Hajdarit. “Sa për shokun tim, të cilit nuk e di pse nuk ia përmendni emrin, sepse me të deshët të filloni dhe biznes (kuptohet të ligjshëm), madje personalisht me veturën tuaj private na çuat deri tek vendi ku kishte filluar (ose planifikohej) realizimi i projektit të tillë”, i kujton mes tjerash Hajdari kryetarit të Strugës takimin e zhvilluar.

Ndryshe, në artikullin e botuar nga portal i gazetës “Lajm”, e që kishte revoltuar kryetarin e komunës së Strugës, mes tjerash thuhej se: ”I ndjeri Asani ka lëvizur thuajse të gjithë orbitën politike të shqiptarëve të Maqedonisë, duke u shpërblyer me pushtet dhe para. Nga një njeri i Menduh Thaçit e i PDSH-së, ai u bë disident dhe mik i armiqve të tij, pra i kreut të komunës së Strugës, Zijadin Sela. Vetë Thaçi, në një takim në Strugë dy vjet më parë, e akuzoi Selën për lidhjet me Asanin”, thuhej mes tjerash në këtë artikull.

Përveç akuzave ndaj botuesit të gazetës “LAJM” për shokët e tij, Zijadin Sela në postimin e tij në FB ka tentuar të zbulojë edhe motivet dhe porositësit e këtij artikulli. “Është më se e qartë se në gjithë këtë shkrim askund nuk përmendet afërsia me BDI- në ndërkohë që ishte funksionar i tyre, gjë që flet për porositësin e shkrimit. Siç duket, BDI ka vendosur që të vërtetës për BDI (s’po them fushatës kundër se është e vërtetë) ka vendosur t’i përgjigjet me kundërfushatat, specialitet për ta me gënjeshtra dhe trillime”, shkruan mes tjerash Sela.

Lajme të ngjashme

Back to top button