Shpaloset agjenda e aktiviteteve treditore të manifestimit kulturor “Gosfest – 2015”

Përfaqësues të Komunës së Gostivarit dhe Këshillit Organizativ shpalosën agjendën e aktiviteteve treditore të manifestimit kulturor “Gosfest – 2015”, që tani e tre vite organizohen nga Komuna e Gostivarit me rastin e ardhjes së mërgimtarëve në vendlindje.

Sarita Selmani nga “iDance Studio”, deklaroi se në natën e parë e cila do të mbahet më 29 Korrik me fillim prej ora 21:00 te amfiteatri veror i qytetit, do të mbahet mbrëmja rinore me balet, vallëzim modern dhe muzikë të përzgjedhur nga DJ të mirënjohur.

“iDance Studio sivjet e hap manifestimin “Gosfest”. Si çdo vit kemi zgjedhur lokacione të ndryshme brenda qytetit. Sivjet u përcaktuam amfiteatrin veror të qytetit ku mbi 30 fëmijë të moshës nga 4 deri 10 vjet do paraqiten me balet modern dhe vallëzim teatral. Shfaqja quhet “iScream”, ndërsa do të prezantohen edhe DJ Chronic, DJ Knockout dhe DJ Madiba”, tha mes tjerash Selmani.

Berat Saliu nga Shoqata “Fishta”, njoftoi se nata e dytë i dedikohet teatrit. Me datë 30 Korrik – 2015 me fillim prej ora 21:00 në Shtëpinë e Kulturës në Gostivar do të shfaqet premiera e dramës së quajtur “Striptizë”.

“Këtë vit kemi një shfaqe teatrale që në bashkëpunim me Komunën e Gostivarit dhe me mbështetje të Ministrisë së Kulturës e organizojmë për hir të manifestimit “Gosfest”. Shfaqja është e autorit Sllavomir Mrozhek, regji Adrian Haziri, luajnë unë Berat Saliu, Argjend Hasani dhe Elmedina Ameti. Shfaqja ngërthen jetët e dy personazheve me botëkuptime të ndryshme, ku njëri kërkon lirinë e pakufishme brenda një hapësire të mbyllur, kurse tjetri dëshiron lirinë jashtë atyre hapësirave”, tha Saliu.

Arsim Disha nga SHKA “Lulet e Malësisë”, njoftoi se manifestimi “Gosfest”, përmbyllet me natën e tretë e cila do të zhvillohet më 31 korrik me fillim prej ora 21:00 në sheshin e qytetit dhe që do t’i dedikohet këngës dhe valles së bukur burimore shqiptare.

“Ashtu siç e potencoi edhe zonja Nafije Zendeli Ziberi, nata e tretë e manifestimit Gosfest i dedikohet këngës dhe valles popullore shqiptare. Protagonistë kryesorë do të jenë Shoqëritë Kulturore Artistike “Lulet e Malësisë” dhe “Jahi Hasani”, kurse mysafirë special do të kemi artistët nga Qendra Kulturore “Xhavit Haziri”, nga Obiliqi i Republikës së Kosovës. Ftojë qytetarët dhe me theks të veçantë mërgimtarët, që të bëhen pjesë e këtij manifestimi”, shtoi Disha.

Zani Memedi nga SHKA “Jahi Hasani”, vuri në dukje që e veçanta e manifestimit të sivjetshëm është prania e mysafirëve nga Republika e Kosovës, respektivisht Qendra Kulturore “Xhavit Haziri”, nga qyteti i Obiliqit.

“Nata i dedikohet folklorit shqiptar. Krahas prezantimit të “Luleve të Malësisë”, dhe “Jahi Hasani”, të ftuar do të kemi Qendrën Kulturore “Xhavit Haziri”, nga Obiliqi dhe që paraqet risi për këtë vit. Është një qendër kulturore që kultivon folklorin burimor të zonës së Kosovës, dhe ne do të kemi kënaqësinë që sivjet për herë të parë të kemi një grup mysafir. Kjo nismë hap rrugën që Gostivarit viteve që vijnë të ftojë edhe grupe të tjera nga trojet e ndryshme shqiptare, dhe “Gosfest”, të merr epitetin e një manifestimi të rëndësishëm mbarëkombëtar”, tha Memedi.

Manifestimi kulturor “Gosfest”, organizohet nën patronazhin e kryetarit të Komunës Nevzat Bejta, me mbështetje finansiare edhe të Ministrisë së Kulturës. Organizohet në nderë të praninsë së mërgimtarëve në vendlindje.

Lajme të ngjashme

Back to top button