Homo duplex dhe Pejani

Sapo e kaluam muajin e bekuar të agjërimit, bajramin e madh dhe menjëherë, djalli sikur doli prej prangave, sikur prapë ia nisi punës së tij të zgjedhur: ngatërrestarinë mes njerëzve.  Çdo ditë vetëm lajme të zeza marrim, çdo ditë ndodhi të shëmtuara, vetëterrorizim, vetëvrasje kombëtare. Njeriu ynë shqiptar, i deklaruar me besë e i fjalës sikur s’është ai që e dha fjalën për mirësi, dashuri,  respekt… Në kohën kur të gjithë duhet të ndajmë kohë për të kapur çastet e relaksimit, të zbrazjes psikologjike nga ngarkesa e angazhimeve të jetës hiperstresante, ana e zezë e përditshmërisë ia del të mbizotërojë në agjendat tona. Një dorë e zezë, tani jo ajo serbe e mirënjohur, por e jona, po na bën të hamë veten, të futemi edhe më tepër në dyshimet e llojit “a do bëhet ndonjëherë shqiptari…”? Tensioni sa vjen e ngritet dhe vetëbesimi sa shkon e dobësohet. Po e shkruajmë historinë përmes histerisë. Ç’akumulim i të keqes paskemi pasur, ç’krimba molle paskim kultivuar!

Nga Kumanova deri në Strugë shqiptari ynë jeton në ngërç, në nja kaos thuajse total. Pa institucione funksionale, pa liderë të mirëfilltë, pa njerëz rë përgjegjësisë që marrin në duar kapitenërinë e anijes që po përjeton turbulenca. Vrasje ka gjithkund por ka edhe përgjegjësi dhe llogaridhënie. Tek në këta dy terma thuajse s’ekzistojnë në fjalor. Ka vetëm krekosje, defilim, paradë, vizita ceremonialesh. Shkolla jonë e udhëheqjes dhe lidershipit ka falimentuar. Merreni si ta merrni, mateni si ta doni, analizojeni si ta analizoni. Neve jemi përballë me termin sociologjik homo duplex, që definohet si njeriu dysh, i dyfishtë, njeri që për arsye të mungesës karakterit nuk është konsekuent, që merr qëndrime dhe flet në varësi të kushteve shoqërore e rrethanave, njeri pa integritet. Ja ky është realiteti ynë. Për fat të keq. Shkolla jonë e prijëtarisë është e dështuar totalisht. Kjo ngase nuk arrin të ndërtojë një atmosferë të vetëbesimit te njerëzit, te rinia, te brezat. Neve na nevojitet një revolucion edhe atë i madh. Një ribërje. Një riformatim që do na e ndryshojë klimën sociale, një vendosje e gjërave në vendin e vet.

Tanimë kemi filluar të dyshojmë në gjeneralizimin e homo duplexit, në shndërrimin e tij në dukuri kolektive. Sikur të gjithë jemi shndërruar në qenie jokonsekuente, pa integritet. Sikur të ishte ndryshe nuk do na ndodhnin gjëra si këto. Vallë mos jemi qenie me dy arshinë të mendim-veprimit? – është pyetja më e natyrshme që shtrohet vetvetiu. Kultura jonë kolektive dita ditës po dërrmohet, andaj na duhet një mobilizim kolektiv që të dalim nga kjo baltë që po na përpin të gjithëve. Nga lufta me të tjerët, duhet të kalojmë në “luftë me vetveten”, me të keqen në mesin tonë, me pasionet, nepsin, djallëzoren, antivlerat, me të gjitha ato figura që na bëjnë të humbim vetëbesimin.

Në fund do vargje shumë domethënëse, ilustrative, të M. A. Pejanit, të shkruara më 1912, që sikur janë përpiluar për ta përshkruar gjendjen tonë:

Në emër të pushtetit, në emër të fesë, një mijë poshtërsi…

Në krye, një kukull; e ardhmja e tërë një kombi

Për qejf të dy a tre kukllavënësve është bërë fli!

Një politikë me të cilën, besoj, tallet dhe bufi!

Për të paturpshmit, prijës, çdo maskara i zi

Njëri gjithë jetën tetar, tjetri, qysh në shkollë

I ka kapërcyer shkallët: toger në ushtri!

Mareshal i biri i botës? Zoti na dhëntë mbarësi!

Pa le dijetarët, një turshi e prishur keq;

Zyra e quajtur “Vatra e vendimeve”, një çerdhe me analfabetë!

I diplomuar qysh në bark të nënës, të parëve u ngjet;

As frikë Zoti s’dinë, as turp sa të jenë gjallë;

Mezi lexojnë, hiç nuk mund të shkruajnë, …!

Ç’është e drejta, më keq se kur thonë “Qofshi shëndoshë vetë!”

Edhe në paça parë përreth se mos gjej, ndoshta, s’e di,

Katër-pesë vetë që t’u flas e të më kuptojnë, dyshimet

Më drejtuan kah një zhgënjim dhe hidhërim i pakufi

Sa herë që dëgjoj përgjigjet e atyre që në pamje

Duken si njerëz të drejtë e të vërtetë!

Shumica, të pakokë; nëse ka nga ata me pak tru,

Më thonë: “Kjo qeveri, kaftan i prerë për këtë milet!”

Kujt t’ia qash hallin? Eja provoje po s’pate punë:

“Ç’më duhet mua, unë do ta ndreq këtë punë?”

Desha t’ua di mendimin dhe u thashë: “Zgjohuni,

Vendi po shkatërrohet…”!

Në këtë hapësirë injoranca

Sado e thellë të jetë, dyfytyrësia është më e përhapur

Më për tmerr… Morali në përgjithësi

Do të ishte pak të thuhej “shumë i prishur”;

Është tejet i shkatërruar!

Shumica prej nesh jemi të pamëkatë?… Mos na digj, o Zot!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button