Barazojnë Vëllazërimi dhe Shkëndija

Shkëndija dhe Vëllazërimi i Kërçovës janë ndarë me barazim 1:1 në takimin kontrollues të zhvilluar pasditën e të dielës në stadiumin e qytetit në Kërçovë, aty ku ‘kuqezinjtë’ do t’i zhvillojë ndeshjet kampionale në sezonin e ri garues 2015/2016. Në një takim interesant, me intenzitet dhe tempo të kënaqëshme që të bënte të mendosh se bëhet fjalë për takim kampional, e jo për mirësore, futbollistët e Vëllazërimit të motivuar 200% dhanë rezistencë të fortë përballë ekipit ‘kuqezi’.

Në një mot të rënduar nga temperaturat e larta, trajneri Shpëtim Duro sërisht luajti me dy formacione të ndryshme në dyja pjesët, ndërsa edhe këtë takim luajtën Dulgerov dhe Vasilj që këtë javë qëndruan në provë te Shkëndija. Në pjesën e parë që u karakterizua me lojë luftarake në mesfushë ‘kuqezinjtë’ kishin dy mundësi të mëdha për të avansuar.

Së pari në minutën e 11-të Vruçina harkoi bukur para portës ku Radeski kishte pozitë të pastërt, mirëpo kur pritej që ai të shtyjë topin në rrjetë, goditja me kokë shkoi mbi traversë. Pak më vonë Dulgerov vertikalizon për Vruçinën që del para portës, mirëpo tentimi i tij për pak ishte jopreciz. Këta huqje u ndëshkuan në anën tjetër kur në minutën e 39-të, Markovski egzekuton në mënyrë të përkryer një goditje dënimi duke mos i lënë hapsirë për intervenim Azizit. 0:1 për Vëllazërimin që shkon me epërsi minimale në pushim. Në pjesën e dytë Shkëndija hyri me komplet formacion të ri, përjashtuar Cuculin që mbeti futbollisti i vetëm që kishte filluar ndeshjen. Intenziteti i lojës tani ishte dukshëm më i madh dhe Shkëndija vazhdimisht gjendej në pjesën kundërshtare. Në minutën e 49-të Hasani pason për Jufon në zonë, mirëpo goditja e brazilianit ndalet në shtyllë. Pak më vonë Mirsellovski ndal tentimin e Alimit, ndërsa barazimi erdhi pas një ore lojë kur Viktor Juffo sjell një të majtë precize në këndin e largët të portierit, për simetri në rezultat.

1:1 dhe Shkëndija kishte kohë të mjaftueshme për të kërkuar fitoren, por që nuk erdhi deri në fund. Vetëm disa sekonda pas barazimit Hasani për mrekulli nxjer në shans Zhuniorin, mirëpo Mirsellovski arrin të mbyllë në kohë. Në minutën e 65-të depërtim i mirë i Abdulla-it në të majtë që asiston drejt Ibraimit, mirëpo goditja e kërçovarit ndalet në traversë. Në anën tjetër tentim i bukur i Ibraimit të Vëllazërimit nga gjujtja e lirë, mirëpo Nuhii me hedhje të bukur largon topin në rivënie nga këndi. Në vazhdim Abdulla humbi shans për Shkëndijën, në anën tjetër Sefa lëshon një predhë të vërtetë që ndalet në traversën e portierit Nuhii, ndërsa në çastet e fundit të takimit Zhunior dhe Juffo humbin secili nga një mundësi shumë të favorshme për të shënuar. Në fund skuadrat u ndanë me barazim 1:1, në një takim që përkundër karakterit miqësor, mbase kënaqi të pranishmit në tribuna. Shkëndija ndeshjen e rradhës kontrolluese do ta zhvillojë më 2 gusht me Shkupin.

Lajme të ngjashme

Back to top button