Rusia nuk dorëzohet, së shpejti pritet të nisë ndërtimin e “Rrjedhës Turke”

Kryeministri rus, Dimitri Medvedev tha se së shpejti do të fillojnë bisedimet midis Rusisë dhe kompanive që do të ndërtojnë fazën e parë të tubacionit të “Rrjedhës Turke”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas mediave ruse, Kryeministri rus, Dmitri Medvedev theksoi se “Rrjedha Turke” do të jetë në interes të Rusisë, por gjithashtu edhe të Turqisë.

“Ne jemi duke punuar rreth marrëveshjes ndërshtetërore midis Rusisë dhe Turqisë. Së shpejti do të fillojmë bisedimet me kompanitë që do të ndërtojnë fazën e parë të tubacionit”, tha Medvedev. Ai shtoi se, përveç Turqisë, interes për këtë projekt ka shprehur edhe Hungaria, Greqia, Maqedonia dhe Serbia.

“Hapat e parë janë marrë më 22 qershor. Turqia ka lëshuar leje për hulumtim. Me këtë do të kryhen hetime mbi të cilat do të instalohen tubacionet e para në zonën ekonomike dhe ujërat territoriale të Turqisë”, tha kryeministri rus.

Rusia në fillim të dhjetorit 2014, njoftoi se është tërhequr nga projekti “Rrjedha e Jugut”, i cili duhet të shkojë nën Detin e Zi dhe përmes Bullgarisë të ofroj gazin në vendet e Ballkanit si dhe të vazhdojë në Hungari, Austri dhe Itali. Projekti u anulua për shkak të qëndrimit jo konstruktiv të Bashkimit Evropian. Në këmbim të kësaj u vendos që të ndërtohet “Rrjedha Turke”, itinerari i së cilës kryesisht do të shkojë nën Detin e Zi, përafërsisht rrugën e njëjtën të dakorduar më parë për “Rrjedhën e Jugut”.

Është planifikuar që në kufirin me Greqinë të ndërtohet një qendër e gazit për konsumatorët nga territori i Evropës.

Lajme të ngjashme

Back to top button