SHBA ka përgjuar telefonatat e 35 liderëve botërorë

Një raport i ri thotë se Shtetet e Bashkuara kanë përgjuar thirrjet telefonike të 35 udhëheqësve botërorë. 

Raporti në gazetën britanike “Guardian” citon një dokument të vitit 2006, i cili është nxjerrë nga ish-kontraktori i inteligjencës amerikane, Edward Snowden. 

Raporti nuk përmend emrat e udhëheqësve që janë përgjuar nga Agjencia për Siguri Kombëtare e Shteteve të Bashkuara. 

Ai thotë se zyrtarët amerikanë i kanë dhënë kësaj agjencie mbi 200 numra telefoni për 35 udhëheqës, të cilët janë siguruar nga Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Mbrojtjes dhe Departamenti i Shtetit. 

Zbulimi vjen në kohën kur në Gjermani ka shpërthyer zemërimi për shkak të dyshimeve se Shtetet e Bashkuara kanë përgjuar thirrje telefonike të kancelares Angela Merkel. 

Të enjten, Shtëpia e Bardhë nuk e ka mohuar se ka përgjuar telefonin e Merkelit, por ka thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë në të ardhmen. 

Zyrtarët amerikanë thonë se përgjimi i bërë nga Shtetet e Bashkuara është i nevojshëm për të penguar komplotet terroriste dhe është i ngjashëm me spiunazhin që kryhet nga shumë shtete. 

Por, kritikët, duke u thirrur në dokumentet e zbuluara nga Snowden, thonë se agjencitë amerikane kanë shkuar përtej asaj që është e nevojshme për të luftuar ekstremistët. 

Lajme të ngjashme

Back to top button