Shkupi përforcon mbrojtjen me Muratin e Shkëndijës

FC Shkupi ka përforcuar radhët e saja me mbrojtësin e huazuar nga KF Shkëndija Mevlan Murati.

Klubet janë marrë vesh që mbrojtësi i djathtë 21 vjeçari të luajë 6 muajt e ardhshëm për ekipin nga Çairi, me mundësi për edhe 6 muaj të tjerë. Murati është futbollist i dalë nga shkolla e Shkëndijës, ku kaloi gjitha kategoritë e reja, duke arritur të promovohet edhe në ekipin e parë. Në sezonin garues 2013/2014 ai ishte pjesë e Partizanit të Tiranës, ndërsa luajti edhe për përfaqësuesen e shpresave të Shqipërisë. Vitin e kaluar u rikthye në Tetovë te Shkëndija, mirëpo konkurrenca e madhe dhe një lëndim e penguan të ketë më shumë hapësirë për të luajtur. Tani gjen gjuhë të përbashkët për t’iu bashkuar FC Shkupit, ku pritet të rikthehet në formën e tij të njohur.

Ndërkohë dy ekipet përveç akordit për huazimin e Mevlan Muratit, kanë arritur marrëveshje që më 2 gusht të zhvillojnë ndeshje kontrolluese, e cila do të jetë provë gjenerale para fillimit të sezonit të ri në elitën e futbollit vendor. Xhiron e parë Shkupi luan me Vardarin, ndërsa Shkëndija me Mlladostin. Ndeshja kontrolluese FC Shkupi – Shkëndija do të luhet të dielën  (2 gusht) në stadiumin në Çair në Shkup, me fillim në orën 17:30.

Lajme të ngjashme

Back to top button