Guardiola në “El Clasico” tifo për Barçën

Barcelona është e shkuara, por mbetet një dashuri e vjetër dhe e ngrohtë për Pep Guardiolën, ndonëse pas largimit nuk kanë munguar edhe polemikat mes tij dhe presidentit të blaugranave, Sandro Rosell.

I pyetur pas triumfit me Victoria Plzen në Champions League, trajneri i Bayernit të Mynihut pranoi t’i përgjigjet pyetjes në lidhje me superndeshjen e fundjavës, klasikes mes Barcelonës e Realit të Madridit në Camp Nou, e para për këtë sezon në Spanjë. Guardiola edhe vetë pohon se nuk mund ta harrojë skuadrën ku ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij.

“Sigurisht që do ta ndjek El Clasicon. Dëshiroj dhe shpresoj të fitojë Barcelona, pasi nga ajo skuadër kam ardhur. Mendoj se do të jetë një ndeshje e bukur por e vështirë për të dyja skuadrat”.

Gjithsesi për teknikun katalanas të bavarezëve ka angazhime më të rëndësishme për momentin sesa ndjekja e klasikes së Spanjës. Guardiola duhet të përqëndrohet te ndeshja e fundjavës që Bayerni ka me Herthan e Berlinit në Allianz Arena që nuk parashikohet të jetë shumë e lehtë, nëse marrim parasysh se vizitorët renditen të katërtët në Bundesliga, ndonëse të shkëputur ndjeshëm me pikë nga kryesuesit.

Lajme të ngjashme

Back to top button