Deklarata e Erdoganit ‘Kosova është Turqi’, shastis Serbinë

Vizita dhe deklaratat e kryeministrit turk në Kosovë kanë ngjallur reagime në Serbi. “Kosova është vendi im i dytë”, që tha Erdogan dje gjatë vizitës në Kosovë, është vlerësuar si deklaratë armiqësore për Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë.

Kjo ministri, përmes një komunikate, ka vlerësuar se deklarata e kryeministrit turk Recep Tayyip Erdogan për Kosovën si “vendin e tij të dytë” nuk mund të “pranohet si miqësore”.

Duke reaguar në deklaratat e Erdoganit se Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqi, si dhe atë që Kosova është vendi i tij i dytë, MPJ-ja serbe thekson se në “Republikën e Serbisë deklaratat e tilla kurrsesi nuk mund të pranohen si miqësore”.

“[Deklarimet e tilla] Devijojnë nga konfirmimet që i kemi në kontakt me zyrtarët më të lartë turq”, thuhet më tej në komunikatë.

“Çdokush në botë e di që fjala ‘Kosovo’ është serbe dhe se është territor serb, madje edhe ata që e kanë njohur këtë kuazi shtet”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë.

Kryeministri i Turqisë të mërkurën qëndroi për vizitë në Kosovë, ku mori pjesë në hapjen e terminalit të ri në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” të Prishtinës, kurse bashkë me kryeministrat Thaçi dhe Edi Ramën, vizitoi edhe Prizrenin. /Zëri/

Lajme të ngjashme

Back to top button