Gjuha e urrejtjes – dhuna merr përmasa shqetësuese

Gjuha e urrejtjes, diskriminimi racor, përballje verbale me kundërshtarët, sulmet fizike ndaj gazetarëve dhe pronarëve të medias… viktimat e krimeve të urrejtjes në Maqedoni numërohen çdo ditë e më shumë, raporton DW.

Publiku është dëshmitar i grindjeve të vazhdueshme të kundërshtarëve politikë se kush është përgjegjës dhe kush e ushqen këtë situatë, por nuk ka një përgjigje adekuate nga institucionet kompetente. Ekspertët janë të shqetësuar, sidomos pas rasteve të fundit ku u rrahën përfaqësues të ‘forcës së shtatë’ (shprehje kjo, e cila i nënkupton gazetarët):

“Këto ngjarje janë produkt i gjuhës së urrejtjes dhe prodhojnë akte të urrejtjes. Për të gjithë këtë kemi të dhëna që tregojnë se këto ngjarje përkojnë me njëri-tjetrin. Në qoftë se deri në vitin 2014 kemi regjistruar raste të lidhura me përkatësinë etnike, orientim seksual, në vitin 2015 regjistrohen incidente, dhunë fizike dhe llogari mbi bazë të përkatësisë politike. Deklarata e VMRO- DPMNE-së lidhur me incidentin e zëvendëskryeministrit, Vlladimir Peshevski mbi Sasho Politiko, është vetëm një inkurajim për vazhdimin e këtyre sulmeve. Ajo deklaratë nga ana jonë do të dokumentohet si një lloj dokumenti, në të cilin mund të vërehet gjuha e urrejtjes. Ajo çfarë ndodhi përsëri me pronarin e portalit ‘Dokaz’ le të kuptojmë se këto ngjarje nuk do të ndalen”, reagon Uranija Pirovska, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Republikën e Maqedonisë.

Kjo OJQ regjistron të gjitha rastet e paraqitura (më shumë në Shkup), për një pjesë të rasteve edhe janë paraqitur ankesë në institucionet kompetente, por shqetësues është fakti se, siç thotë Pirovska, nuk ka reagime adekuate nga ana e këtyre institucioneve. Ajo kujton rastet e ngjajshme edhe ndaj gazetarëve tjerë si: Borjan Jovanovski, Branko Triçkovski, Sasho Ordanovski. Përmend mediat sociale, të cilat përhapin gjuhën e urrjetjes ndaj një grupi njerëzish, aktivistësh, “këtu keni thirrje transparente për dhunë. Është e qartë se mënyra si shteti nuk merret me to, vetëm prodhon më shumë dhunë dhe inkurajon dhunën.”-thotë Pirovska dhe ndër tjerash shton “me të dhënat që kemi në dispozicion do të tregojnë joefektivitetin e MPB-së dhe mospasjen e vullnetit politik në shoqëri që të  zgjidhen problemet që bazohen në urrejtje, jo-tolerancë ndaj personaliteteve”.

Të shqetësuar janë edhe gazetarët, ose të paktën disa prej tyre, të cilët pas ngjarjeve të fundit me të drejtë reagojnë se ndjehen të pasigurt. “Në publik ka kohë që kur dominon dhuna verbale si narracion kryesor dhe ishte çështje kohe se kur nga fjalët do të kalohet në vepra.”-tha Tamara Çausidis, kryetare e Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve.

“Nëse më pyesni ‘si të ndalet’, përgjigja është e thjeshtë në dukje, por vështirë e realizueshme në praktikë: Ata që janë në pozitë për të udhëhequr vendin janë ata që me shembullin e vetë, me fjalorin e vetë në të cilin nuk duhet të ketë vend për të drejtuar gishtin në ‘tradhtarë’, ‘mercenarë’ ndaj çdo kritike, pastaj edhe me distancimin dhe sanksionimin e nxitësve të gjuhës së urrejtjes, të cilët tani ndjehen të inkurajuar dhe të stimuluar, mund dhe duhet ta ndalojnë këtë spirale të së keqes. Përndryshe, ata janë përgjegjës, por pasojat i ndjejmë të gjithë.”- tha Çausidis.

Autoritetet kompetente pretendojnë se veprojnë dhe reagojnë në mënyrë adekuate në rastet ku lajmërohet të folurit ose dhunë e urrejtjes. Nga MPB thonë se për zbulim më të lehtë dhe përballje me këti dukuri kanë shtuar edhe aplikacionin në faqen e tyre të internetit, ku qytetarët mund të raportojnë për ndonjë njohuri ose informacion, ndër të tjera edhe për krim të urrejtjes dhe nxitje për dhunë.

Me rastin e Ditës Evropiane të viktimave të krimit të urrejtjes, Komitetit i Helsinkit sot do të promovojë edhe publikimin e krimit të urrejtjes. Nëpërmjet projektit aktual “Përmirësimi i infrastrukturës kombëtare kundër gjuhës së urrejtjes dhe krimit nga urrejtja”, të mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Shkup nga viti 2013 deri më sot, Komiteti i Helsinkit ka regjistruar 223 incidente të kryera nga urrejtja. Vitin e kaluar regjistruar 84, dhe deri më tani këtë vit 22./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button