Srebrenica dhe mungesa e pendesës

Srebrenica është problem i Europës. Pas Bosnjës fytyrë tjetër do të ketë Evropa, thoshte Ali Podrimja, që shkruante për engjëllin e zi të Sarajevës, për Radovanin e zi dhe e parathoshte se kasaphana do të zhvendosej edhe në Kosovë.

Miku i tij, poeti boshnjak Izet Sarajliq, i shkruante Hans Magnus Enzensbergerit: “Izeti Juaj është tmerrësisht i lodhur nga humanizmi europian”.

Poetët serbë, sikurse Desanka Maksimoviq, u duarktrokisnin vrasësve.

Srebrenica është kulmi i mizorisë, gjenocid e shkuar gjenocidit, që na kujton se deri ku mund të shkojë çmendia njerëzore; se si lufta e kthen njeriun në kafshën më të egër prej të gjitha kafshëve.

Në Srebrenicë, sikurse në Kosovë, u bë krim ndaj njerëzimit, por është për t’u çuditur se si disa analistë e pjesëtarë shoqërish civile, në emër të kinse kosmopolitizmit, sa nuk i përligjin kriminelët dhe mbështetësit e krimit. A e dinë se çfarë kishte thënë dikur kryeministri serb, adhuruesi i dikurshëm i Voisllav Sheshelit, këtij monstre, që gjykohet për krime lufte? Nuk duan ta dinë. Më shumë se kaq: kryeministri aktual serb mbante në dorë kallashin, teksa Sarajeva mezi frymonte nën shtetrrethim, kurse vetura me të cilën vozitej ai kishte një kafkë boshnjaku.

Boshnjakët ishin kombi më kosmopolit në Jugosllavinë e dikurshme, por toleranca u kushtoi shtrenjtë, në vend se të ndodhte e kundërta.

Ata nuk kishin pasur platformë nacionaliste, sikurse serbët. Si më pro-jugosllavë që ishin, nuk kishin besuar se mund t’u ndodhte tmerri. Kjo shprehet edhe në poezinë “Sa të papërgatitur hyrëm në këtë luftë” të Sarajliqit: “Ja dhjetë ditë bëhet luftë e ne ende s’dimë të urrejmë sa duhet”.           

Pas tmerrit boshnjakët nuk besojnë si dikur…

Shfaqja e kryeministrit serb në Srebrenicë, pavarësisht kush e thirri, ishte provokim për familjet e të vrarëve mizorisht. Ai kishte vënë shenjën e barazimit: një kokë serbi sa 100 koka boshnjaku! Këtij nuk ke si i beson sot, sado të hiqet paqësor, aq më pak mund t’i besojnë ata që humbën gjithçka në Srebrenicë.

E dua pajtimin ndërmjet kombeve. Hasmëritë e së djeshmes nuk duhet mbartur në të sotmen dhe të nesërmen. Por pajtimi ndërmjet kombeve nuk bëhet pa e njohur pendesën dhe jo nga ata që mbështetën krimin. Pajtimi nuk bëhet duke aktruar engjëllin. Nuk bëhet pa e pranuar krimin e bërë. Nuk bëhet kur vetoja triumfon mbi drejtësinë. Në drejtësi nuk ka veto. Nuk mund t’u japësh të drejtë të gjithëve: edhe xhelatit edhe viktimës. E drejta nuk mund t’u takojë të dyja palëve, tha Eskili. Me improvizime e maska nuk arrihet te pajtimi i domosdoshëm…

Le t’i marrim si shembull gjermanët. Dolën prej luftës me ndërgjegje të njollosur, rënduar prej krimeve të shumta. Gjermanët nuk vazhduan ta mbronin Hitlerin e hitlerizmin, sikurse bëjnë serbët, të cilët i këndojnë Mlladiqit dhe bëjnë thirrje për përsëritjen e Srebrenicës.

Sipas H. Kitshtajner-it vetëdija gjermane kaloi nëpër disa etapa:“vetëdija transmorale” – ajo e brezit të baballarëve që e përjetuan luftën, për të cilin çdo hap ishte rezultat i fajit;“vetëdija hipermorale” – ajo e bijve të tyre, që fajësuan veten, duke pranuar përgjegjësi mbinjerëzore, dhe njëkohësisht duke akuzuar etërit e tyre për krimet apo heshtjen ndaj krimit dhe faza “moralisht normale” – pra ndjenjë përgjegjësie për të kaluarën, por njëkohësisht, sipas P. Sloterdijkut, kërkim sovraniteti në botën aktuale, e pse jo dhe ide të reja.

Deri te faza e tretë erdhi në sajë të punës së palodhshme të inteligjencies gjermane.

Serbët, fatkeqësisht, nuk janë në asnjërën fazë. Vazhdojnë të ndjehen të viktimizuar, thuajse krejt bota ua do të keqen. Vazhdojnë të mos ndjehen fajtorë. Çuditërisht, përkëdhelen, si shumë. Qarqe të ndryshme politike dhe akademike europiane gjithnjë e më shumë po e barazojnë viktimën dhe xhelatin.

Nuk dua që të urrehen kombet, as serbët, të cilët kanë një Natasha Kandiç dhe kanë pasur një Dimitrije Tucoviq. Jo nëpërmjet urrejtjes, por nëpërmjet faljes mund të hapërojmë drejt të ardhmes, por aspak zemërgjërësi ndaj atyre që kanë bërë krime ose që u kanë duartrokitur vrasësve.

Vuçiçi nuk është politikani i ri serb. Politikani i ri serb, ende nuk është shfaqur. Sikur të ishte shfaqur, me siguri, nuk do të pritej me gurë as në Srebrenicë. Ata që kanë vuajtur shumë dinë të falin, por nuk i falin ata që kanë bërë krime ose kanë qenë në anën e tyre. Ballkani duhet të çlirohet prej këtyre fantazmave, por, fatkeqësisht, është peng i tyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button