Zgjedhjet Maqedonisë do i kushtojnë rreth 4 milion euro

Se sa do ketë kohë KSHZ për tu përgatitur për zgjedhjet e parakohshme që do të realizohen në muajin prill të vitit të ardhshëm, varet nga realizimi i marrëveshjes nga grupi punues.

Kryetari i KSHZ-së Subhi Jakupi thotë për Portalb se ka kohë të mjaftueshme për tu bërë përgatitjet për zgjedhje, nëse grupi punues realizon marrëveshjen me seriozitet dhe afat të paraparë kohor.

“Nëse grupi punues bën punën si duhet dhe me seriozitet, ka kohë të mjaftueshme edhe të pastrohen listat zgjedhore edhe të organizohen zgjedhje. Të shohim si do shkojnë punët. Besoj që deri në prill do të realizohen të gjitha përgatitje për zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, tha Jakupi.

Sa i përket mjeteve financiare, Jakupi tha që sipas praktikave të mëparshme, zgjedhjet e parakohshme parlamentare kapin shumën prej 3 milion e gjysmë euro.

“Sipas përvojës që kemi me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ato kapin shumën prej rreth 3 milion e gjysmë euro”, shtoi Jakupi.

Gjithashtu edhe Organizata Joqeveritare (OJQ), Most vlerëson se nëse ka vullnet politik dhe përkushtim, atëherë mund të kemi zgjedhje demokratike në muajin prill te vitit të ardhshëm.

“Marrëveshja e 2 qershorit parasheh disa masa dhe kushte që duhet të realizohen me qëllim që të sigurohen zgjedhje të drejta dhe demokratike. Nëse ka vullnet politik dhe përkushtim për implementimin e kësaj marrëveshjeje atëherë nuk shohim arsye që mos të ketë kushte për zgjedhje demokratike në prill. Ajo që duhet të theksohet është se kjo marrëveshje nuk është bërë për partitë politike, por për ardhmërinë e shtetit, gjegjësisht për qytetarët.  Për këtë në radhë të parë duhet të vihen interesat e qytetarëve dhe jo të partive politike”, njoftojnë për Portalb, nga zyra për informim e Most.

Sa i përket pastrimit të listës zgjedhore, nga Most thonë se gjatë dy zgjedhjeve të fundit kishte probleme të shumta sa i përket kësaj çështjeje.

“Në dy proceset zgjedhore të fundit kishte mjaft probleme me listat zgjedhore. U regjistruan një numër i madh i votuesve me të njëjtën adresë, numër ky i cili ishte edhe mbi 100 votues. Për këtë duhet të kenë kujdes, sepse nëse nuk pastrohen listat zgjedhore sërish do paraqiten probleme. Besoj që ka kohë mjaftueshëm që një gjë e tillë të realizohet”, thonë nga Most

Gjithashtu edhe nga Most thonë se Maqedoninë zgjedhjet e parakohshme parlamentare do ta kushtojnë rreth 4 milion euro.

Ndërkaq grupi punues i përbërë nga anëtarë të katër partive nënshkruese të marrëveshjes (VMRO-DPMNE, LSDM, BDI, PDSH), së pari duhet të punojë që Komisioni Shtetëror Zgjedhor, që është gjendur në raportin e Rajnhard Pribe, të përbëhet nga anëtarë jopartiak./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button