Shkup, stacioni hekurudhor me pamje të re për 3/4 muaj

Sipas institucioneve kompetente, për 3-4 muaj do të përfundojnë punimet në stacionin hekurudhor në Shkup, me çka do të marrë një pamje krejtësisht të re dhe moderne, raporton media.mk.

Projekti për rekonstruimin e objektit të ndërtuar para 35 vjetëve vlen 2,4 milionë euro, prej të cilëve 85% janë siguruar nga IPA, kurse 15 % nga buxheti i RM-së.

“Në objekt punohet efektivisht, vazhdimisht ka punëtorë shtesë dhe pres se për 3-4 muaj stacioni hekurudhor do të jetë tërësisht i rehabilituar”-deklaroi ministri për transport dhe lidhje Vlado Misajllovski.

Sipas drejtorit të Hekurudhës së Maqedonisë, Irfan Asani, një pjesë e madhe e punëve janë në fazën përfundimtare. Peronët janë tashmë të ndërtuar dhe me standartet për trenat e rinj për pasagjerë që duhet të arrijnë, ashensorët që janë të rëndësishëm për persona me aftësi të kufizuara, si dhe dhomat e pritjes do të fitojnë sistem të ri të klimatizuar.

“Dy peronë janë përpunuar tërësisht, punohet për peronin e tretë, ashensorët janë përfunduar 90%, punimet në pjesën veriore të nyjeve sanitare kanë përfunduar, në pjesët tjera 90 %. Punohet edhe për instalimin e rrymës elektrike dhe klimës, që kanë përfunduar 80%.”-tha ai.

Ministri Misajlovski njofton se pas përfundimit të punimeve në stacionin kryesor në Shkup do të rekonstuohen edhe stacionet hekurudhore në: Prilep, Veles, Bitollë, Bogomillë, Gjevgjeli, Çashka, Tabanoc, Demir Kapi, në komunën Qendër dhe Negotinë-Vardar.

“Poashtu punojmë në forcimin e linjave, Kumanovë-Bellakovce, punojmë në linja të reja, filluam edhe me Bitollë-Kremenicë, respektivisht provojmë që Maqedonia të fitojë pamje të re, rekonstruim të ri të tërë infrastrukturës hekurudhore, kurse më këtë t’i përmirësojmë kushtet për qytetarët në transportin hekurudhor”-deklaroi ministri./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button