SHGM – Gruevskit: Çdo gjë varet nga ju për rastin e Kezharovskit

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë i ka dërguar sot letër kryeministrit Gruevski për vënien në rend dite në mbledhje të Qeverisë faljen e gazetarit Tomisllav Kezharovski. Pasi nuk kishin marrë përgjigje nga Ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti për iniciativën për falje, SHGM ka vendosur që ti bëjë thirrje kryeministrit Gruevski që ta përdorë autoritetin e tij për ti urdhëruar Bexhetit fillimin e procedurës.

“Kërkojmë që kryeministri Gruevski që çështjen e abolimit të gazetarit Kezharovski ta vë në rend dite në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë. Mendojmë se abolimi i Kezharovskit është në interes të vendit, e para sepse ne besojmë se Kezharovski është i pafajshëm dhe nuk ka bërë asgjë të keqe përveç se ka ushtruar detyrën e tij si gazetar, dhe e dyta është se ky rast në botë në mënyrë serioze cenon imazhin e Maqedonisë. Tash çdo gjë është në duart e kryeministrit Gruevski i cili mund të përdorë autoritetin e tij të pakontestueshëm dhe ti urdhërojë ministrit Bexheti që të nis procedurën për abolimin e gazetarit Kezharovski”, tha kryetari i SHGM-së Naser Selmani.
Lidhur me informimin e disa mediave proqeveritare rreth protestës së djeshme të gazetarëve, të cilën tentuan ta paraqesin si protestë politike, Selmani tha se kjo është fotografia më e mirë për ndikimin politik në media.

 “Nuk mund të prisni të keni media të përgjegjshme në situatë kur mediat nuk janë të lira, por janë peng të politikës dhe biznesit. Shtrohet pyetja vallë janë ato media, apo çfarë janë”, u shpreh Selmani.

SHGM-ja ka ndërprerë edhe dialogun me Qeverinë, dhe një ndër kushtet për vazhdimin e dialogut është edhe falja e Kezharovskit./ Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button