Bexheti president i ri i Shkëndijës

KF Shkëndija vazhdon përforcimet drejt ngritjes të nivelit të klubit në suaza sa më profesionale. Nëse periudhën e kaluar ekipi ishte aktiv në prurjen e emrave të njohur në kuadrin e futbollistëve, tani Shkëndija përforcohet në menaxhmentin e saj. Konform ambicieve dhe objektivave strategjike të klubit, në mbledhjen e ditës së dielë të mbajtur në zyrat e Shkëndijës, z. Lazim Destani ka sjellë përforcime në strukturën e klubit duke e emëruar në postin e presidentit Prof. Dr. Abdylmenaf Bexhetin.

Emër i ri në kryesi është Ibrahim Ramadani, që emërohet Menaxher i Përgjithshëm në Departamentin e Sportit të KF Shkëndija. Kryetari i deritashëm Lulzim Imeri mbetet pjesë e ‘kuqezinjëve’, duke u spostuar në pjesën finansë-administratë.

Me strukturimet e reja menaxhmenti i Shkëndijës merr një pamje të re dhe të organizuar si vijon: Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti është numri një i Shkëndijës, ndërsa pas tij në funksionet më të larta në skuadër do të jenë Ibrahim Ramadani si Menaxher i Përgjithshëm për Sport dhe Lulzim Imeri, Menaxher i Përgjithshëm i departamentit të financave dhe administratës.

Pjesa sportive ku përgjegjës është Ramadani ndahet në tre pjesë, edhe atë stafi teknik, skautët dhe Akademia.

Ndërkohë departamenti ku do të veprojë Lulzim Imeri, përfshinë finansat, marketing-media dhe operativë, secila prej këtyre me persona përgjegjës që vazhdojnë në pozitat e tyre që i kanë kryer edhe në periudhën paraprake.

Ditëve në vijim pritet që presidenti i ri Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti t’i harmonizojë objektivat strategjike dhe resurset për përmbushjen e tyre. Me ndryshimet e reja, KF Shkëndija sjell një frymë të re duke plotësuar mozaikun edhe në menaxhment dhe duke përcjellë mesazhe të qarta se ekipi ‘kuqezi’ në sezonin e ri do të kërkojë trofetë në kampionat dhe Kupë.

Lajme të ngjashme

Back to top button