Bira e fundit e kavallit

Këto ditë duket se politika në Maqedoni “merr frymë” më lehtë, duket më e relaksuar. U arrit edhe një marrëveshje. Kësaj radhe midis VMRO-së dhe LSDM-së. Por kjo “frymëmarrje” është artificiale. Përbrenda partive dhe udhëheqjeve të VMRO-së dhe LSDM-së vlon. Te partitë shqiptare s’ka “asgjë të re në perëndim”, megjithëse formalisht kanë qenë pjesë e bisedimeve. Aty këtu ndonjë deklaratë, si ajo “Me këtë marrëveshje paska dalë fituese BDI-ja” dhe vërehet heshtja e thellë e PDSH-së. Ndërkaq partitë e reja shqiptare ende s’po e gjejnë një gjuhë të përbashkët të veprimit të përbashkët politik.

VMRO-ja dhe LSDM-ja, natyrisht edhe me firmën e BDI-së dhe të PDSH-së, e nënshkruan këtë dokument në gjashtë pika. Sipas dokumentit në fjalë partitë na qenkan pajtuar që në vend të parë të vihet interesi i shtetit, mbi interesat partiake, përmes dialogut të përkufizohen hapat e mëtejmë për tejkalimin e krizës, të respektohen parimet demokratike të përgjegjësisë politike, të zbatohet Marrëveshja e Ohrit, të forcohen marrëdhëniet ndërfqinjësore dhe imazhi ndërkombëtar i vendit dhe me këto pika Maqedonia të kthehet në rrugën evroatlantike. Mirë ama edhe për realizimin e këtyre pikave është paraparë një periodë tranzitore, e cila do të përfunduaka në zgjedhjet e prillit të vitit të ardhshëm. Gjatë kësaj periode tranzitore do të bëhet një marrëveshje e cila do t’i organizojë zgjedhjet e reja, pastaj në shtator LSDM-ja obligohet të kthehet në Kuvend dhe menjëherë t’i ndërpresë “bombat”, kurse materiali t’i dorëzohet Prokurorisë për procedurë të shpejtë, të modifikohet përbërja e KSHZ-së dhe në fund të shtatorit të KSHZ-ja të marrë autorizime më të mëdha për organizimin e zgjedhjeve.

Kryetari i Qeverisë deri në fund të vitit mbetet kryetari i tashëm, pra edhe thuaja gjashtë muaj. Nga ana tjetër nuk u arrit marrëveshja për qeverinë, e cila do t’i organizojë zgjedhjet e reja. Në start, pra, krejt puna e mori të prapën dhe dha sinjale se e gjithë kjo tollovi doli se është shumë zhurmë për asgjë.

Ka shumë dilema, ka shumë pikëpyetje në këtë dokument, por ajo që e vë para një pikëpyetjeje shumë të madhe këtë marrëveshje është një pikë që kërkuaka realizimin e Marrëveshjes së Ohrit. Marrëveshja e Ohrit? Po kjo është dashur të rrumbullakohet para shumë vjetëve, sa më kujtohet para njëmbëdhjetë vjetësh. Por për kaq vite nuk dha kurrfarë rezultati. Nuk u realizua fare. Doli shterpë. Dhe, kjo pikë të shtyn të mendosh se çfarë do të dalë nga kjo marrëveshje me ato farë gjashtë pikash. Sa mund e si mund të realizohet. Përveç kësaj nuk dëgjuam se si do të veprohet me materialet e përgjuara. Pastaj nuk është qartësuar as roli i prokurorit publik. Asgjë nuk ka për mediat e kontrolluara dhe për shprehjen e mendimit të lirë të reduktuar. Ndërkohë për çdo ditë dëgjojmë për punësime të reja, çdo ditë ka reklama të Qeverisë etj. (që në fakt janë propagandë) dhe komente të çuditshme “për mbrojtjen e popullit maqedonas”. Natyrisht këtu, pra as në këto veprime propagandistike, nuk i merr në dorë kush shqiptarët. Për të drejtat e tyre kombëtare dhe për të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe s’ka asnjë fjalë. Edhe ish kryetari i qeverisë së Maqedonisë dhe kryetar i tashëm i VMRO- Partisë popullore ka hyrë në vallen e propagandës.  Ai gjithandej thërret për mbrojtjen e Maqedonisë nga shqiptarët. Në disa intervista ai në mënyrë të tërthortë i bën me dije Evropës dhe Perëndimit që të kujdesen se, sipas tij, Maqedonia në vitin 2021 do të bëheshka shteti i katërt mysliman, pas Shqipërisë, Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës. Në emër të “mbrojtjes nga islami” në fakt luftohet gjuha shqipe dhe populli shqiptar, pa marrë parasysh se asnjë gjuhë nuk është qenie fetare. Po, ja, këto janë realitetet tona.   Bëhen marrëveshje për paqe, për liri, për demokraci dhe në fund ne mbetemi askund, pavarësisht se BDI-ja shpeshherë e shpall historike çdo marrëveshje. Edhe kësaj radhe ne do të mbetemi bira e fundit e kavallit. E fundit, por ama me autografet  e përfaqësuesve tonë politikë të shënuara në marrëveshje si të kishin qenë nënshkrime. Do të duhet të krenohemi se në politikat tona i vendosim integrime euroatlantike (askush nuk është kundër tyre) para përdorimit të barabartë të gjuhës shqipe, të cilin duhet ta garantojë Kushtetuta. Dhe, në këtë kuadër edhe gjyqi. Po cili gjyq se?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button