Sejfullau i bronztë, Ismaili trajner më i mirë

Në Ruse të Bullgarisë, është mbyllur gjatë ditës së sotme, turneu i fuqishëm në mundje për kadetë, “Rusenski legendi” apo “Legjendat e Ruses”, tyrnir ky i fundit përgatitor para Kampionatit Evropian dhe Botëror për këto grupmosha. Në të njejtin, Elmedin Sejfullau shkëlqeu edhe njëherë, duke u ndalur nga pengesa e fundit, në finale të kategorisë deri në 54 kilogram, ku humbi nga vendasi Mustafa Mustafov, me pikë, 8-6, por edhe me ndihmë të madhe nga referët. Elmedini, deri sa arriti në finalen e madhe, ishte i bindshëm ndaj të tre kundërshtarëve.

Në 1/8 e finales, mposhti vendasin Dimitar Angellov me 10-4. Në çerekfinale me 10-0 ishte më i mirë se një vendas tjetër, Petko Petkov, ndërsa në gjysëmfinale, u takua me gjermanin Sebastian Schmidt, të cilin e mundi me dush teknik, 13-2. Në kategorinë e njejtë garoi edhe Minir Rexhepi, që fillimisht humbi nga fituesi i medaljes së artë, Mustafa Mustafov, ndërsa në luftë për medalje të bronztë, edhe pse ishte në avantazh ndaj bullgarit Mehmed Ramadan, në fund u desht të pajtohet me humbjen dhe përfundoi i pesti.

Në pozitën e njejtë, por në kategorinë deri në 46 kilogram, u ndal edhe përfaqësuesi i tretë i Lirisë në këtë turnir, Halit Osmani. Ai, regjistroi fitore në luftën çerekfinale, që më pas të humb në gjysëmfinale dhe në luftë për medalje të bronztë. Për fund, do theksuar edhe se trajneri i klubit të mundjes Liria, Sufijan Ismaili, nga ana e organizatorit, është shpallur trajneri më i mirë i huaj, në edicionin e sivjem të turneut të fuqishëm, “Rusenski legendi”.

Lajme të ngjashme

Back to top button