Gjermania paralajmëron masa të ashpra për azilkërkuesit

Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, paralajmëron masa të ashpra për të frenuar fluksin e azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Në një intervistë për të përditshmen gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ai e konsideron si të papranueshëm dhe “një turp për Europën”, faktin që 40% e azikërkuesve në Gjermani janë nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

“E rëndësishme është, të reduktojmë në mënyrë drastike numrin e tyre”, shprehet Ministri gjerman. Ai thotë se një prej masave për ndalimin e fluksit do të jetë përfshirja e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, në listën e vendeve të sigurta të origjinës, siç ndodhi vitin e kaluar, me Serbinë, Maqedoninë e Bosnje – Hercegovinën. Për këtë masë, Ministri gjerman shprehet se autoritetet gjermane kanë marrë edhe mbështetjen e Kryeministrit kosovar, Isa Mustafa.

Për Ministrin është e habitshme, që në vend që t’u kushtohet vëmendje azilkërkuesve nga vendet në krizë, në Gjermani kërkojnë azil shtetas nga Kosova e Shqipëria. Objekt kritikash është edhe pagesa prej 143 eurosh në muaj që shteti gjerman u jep azilkërkuesve. Kritikët thonë se kjo pagesë nxit azilkërkuesit.

Që prej fillimvitit, mbi 400 mijë njerëz kanë kërkuar azil në Gjermani, 1/3 e të cilëve janë nga Ballkani Perëndimor. Zyra për Emigrantët dhe Refugjatët në Gjermani i renditi azilkërkuesit shqiptarë të dytët pas sirianëve në muajin Qershor, me tendencë rritjeje gjatë 3 muajve të fundit. Ndërsa Kosova, që në Mars shënoi rekordin, me rreth 12 mijë azilkërkues, në Qershor shënoi rënie drastike me 1947 kërkesa.

Lajme të ngjashme

Back to top button