Të hënën vazhdojnë bisedimet mes liderëve të Maqedonisë

Bisedimet mes 4 partive politike për zbatimin në detaje të marrëveshjes politike, do të vazhdojnë në fillim të javës me ndërmjetësimin e ekspertit belg Piter Van Hojt, thonë për Alsat M përfaqësuesit e BDI-së në bisedime.

Prioritet do të kenë çështjet që ndërlidhen me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të caktuara më 24 prill të vitit të ardhshëm. Në këtë kontekst, grupi i punës duhet të diskutojë edhe çështjen e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, i cili sipas Marrëveshjes së 2 qershorit, duhet të pësojë ndryshime në përbërje më së voni më 31 korrik.

Me marrëveshjen e 2 qershorit, Bashkimi Evropian është zotuar që të lehtësojë dialogun mes partive politike për adresimin e reformave, dhe këtë ka zgjedhur ta bëjë me delegimin e ekspertit belg, Piter Van Hojt. Monitorimi është paralajmëruar përmes Këshillit për stabilizim-asocim, Dialogut Paraqasës në Nivel të Lartë dhe me Raportin e Progresit. Megjithatë, këto filtra janë efektivë vetëm në shtator dhe tetor, ndërsa Marrëveshja e Përzhinos parashikon disa çështje të rëndësishme që duhet adresuar deri atëherë, siç është çështja e prokurorit special, i cili duhet të zgjidhet më së voni më 15 shtator.

Lajme të ngjashme

Back to top button