Teqeja “Arabati Baba” në Tetovë, afër rrënimit!

Kompleksi  arkitektonik i teqesë bektashiane “Arabati Baba”, në Tetovë, mezi i reziston kohës. Pullazet e godinave që rruajnë vlerat monumentale të një periudhe pesëqind vjeçare, qëndrojnë si një barë e renduar mbi shtyllat prej druri që duken se nuk janë lyer kurrë.

Kleriku i teqesë, Abdylmytalib Beqiri, për “Portalb”, thotë se gjendja e godinave në brendinë e havlisë  është e mjerueshme.  Sipas tij,  deri më tani nuk ka pasur ndonjë projekt ambicioz për restaurimin e  teqesë, përveç  premtimeve.  Dervishi thotë, se “mundohemi që ta mbajmë teqenë me shumë sakrificë përballë vështirësive të mëdha”.

Kulla e Rojeve që dikur shërbente për të mbrojtur  teqenë, qëndron  lartë portës, nga ku mund të numërohen veturat e parkuara në një ditë të ngarkuar tregu. Brenda mureve të këtij kompleksi, shkrihen në pafund pasazhet e gjelbëruara. Koloriti i objekteve të integruara në një tërësi unike ka humbur shkëlqimin  e dikurshëm. Objektet e teqesë “Arabati Baba”, me veçoritë e veta arkitektonike, portat, oxhaqet, kulmet e godinave, koloriti i pasur i fasadave dhe harmonia në kombinimin e detajeve si për inat po rruajnë elegancën e një godine grandioze që rrezikon të mos jetë më.

Restoranti i teqesë,  ngadalë po humb gjurmët  e një arkitekture pesëqind vjeçare, me dritare të thyera poshtë një pullazi që duket se do të bjerë në tokë.
Mu në mes të Teqesë është vendosur qoshku veror i mbuluar me kulm dhe i hapur në të gjitha anët. Ky objekt qindra vjeçar duket i paprekur që nga koha kur është ndërtuar. Nga frëngjia e furrës së teqesë ka kohë që nuk del ndonjë gjurmë zjarri.
Konaku veror ishte një vend i preferuar për titullarët bektashian. Shtyllat e shumta prej druri duket se mezi i rezistojnë kohës, për të mos lejuar shembjen e pullazit të vjetër më shumë se pesëqind  vjet.

Shtëpia dimërore është një kompleks i vogël në brendi të Teqesë, ku gjenden hapësirat për bujtje të personelit të teqesë. Brendia e saj duket e shkatërruar si në ditën kur e kaploi zjarri.

Nga paratë e premtuara për meremetimin e shtëpisë dimërore nga ish drejtori i institutit për rruajtjen e monumenteve, Shebahudin Bexheti, deri më tani nuk është lëshuar asnjë qindarkë.
Kleriku i vetëm Dervishi i teqesë, Abdylmytalib Beqiri edhe këtë dimër do ta kalojë në hapësirën ku priten mysafirët. Kleriku bektashian, thotë se në këtë teqe nuk është kryer kurrfarë investimi, duke lënë objektet arkitektonike të kultit bektashian në mëshirën e fatit. 

Ish drejtori i Qendrës Nacionale për Konservimin e Trashëgimisë kulturore, Behixhudin Shehabi, prezantoi një projekt për këtë objekt në të cilin ishin  përfshirë 27 objekte të mëdha dhe të vogla për rindërtimin dhe konservimin e Teqes “Arabati Baba”. Dervishi i teqesë Abdylmytalib Beqiri, thotë se ka pasur prezantime te ndryshme, por deri me tani nuk është punuar asgjë, përpos  ne pjesën ballore te mureve rrethues.
Kleriku i teqesë, shpreson se institucionet  përkatëse për monumentet  historike do të bëjnë më shumë për këtë kompleks. Ai tregon për nevojën e intervenimit më urgjent, duke treguar muret e dëmtuara të “Tyrbes” dhe pullazet shkrumbuara të objekteve historike të Teqesë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button