Dy imamët atdhedashës

Janë të shumtë njerëzit që nuk kursyen gjë për ta parë Shqipërinë zonjë. Të tillët e ringjallën Atë disa herë nga hiri i katrahurave historike, duke investuar në frymën përbashkuese ndërmjet njerëzish me përkatësi të ndryshme krahinore, religjioze, ideologjike…, të bindur se brezat e ardhshëm do ta lulëzojnë, do ta qytetërojnë, do ta shndërrojnë në parajsë.

Etnitë e mëdha çmojnë sakrificat e pararendësve dhe gjeneratë pas gjenerate lartësojë me nga një gur shtëpinë e përbashkët, ku njerëzit lindin, jetojnë dhe kanë dëshirë të vdesin.

Të vegjlit, të përbuzurit, të shtypurit, shpirtrobërit…, nuk janë koshientë për imazhin që rrezatojnë personalitetet historike për të mirën e përgjithshme dhe sikur ndihen të lodhur nga pesha e tyre. Ndodh edhe t’i mohojnë, t’i përçmojnë e t’ua falin të tjerëve me naivitet të pakuptimtë, të lejojnë t’ua vjedhin harbutërisht kurkushët në ankth kombformimi, që, në mungesë kuotash, përvetësojnë personalitetet historike të budallenjve, të vetëdijshëm se pa ta nuk bëhet kombi e shteti.

Mjerisht. edhe ne jemi në mesin e atyre që kujtojnë rrallë emrat dhe bëmat e bërësve të Vatanit, ndaj duhet bërë diçka për ta ndërprerë traditën e mospërfilljes së vetvetes. Festat e mëdha, si kjo e sotmja, janë shkas i mirë për t’reflektuar ashtu si e do rendi, për t’përkujtuar më meritorët mes tyre, si puna e Haviz Ali Korçës dhe Imam Vehbi Ismailit, të cilët iu kundërvunë aq sa mundën tendencës së shumëkujtë për t’na zhveshurë vlerash dhe për t’na paraqitur para botës të paaftë për t’qeverisur shtet.

Dy klerikët, ngjashëm si Fishta e Noli, e kishin të qartë se kombi është një – pa dallim feje, krahine e dialekti; se vija e gjakut është vullneti suprem i Zotit; se tendencat e zhveshjes së etnisë nga bëmat e mëdha dhe nga figurat madhore shpiejnë drejt shndërrimit të tij në turmë njerëzish pa pika reference.

Po e nis me Hafiz Ali Korçën – personalitetin poliedrik; përkthyesin e rubairave të Omar Khajamit; krijuesin, vepra e të cilit është e lidhur edhe për zhvillimet e bujshme kombëtare, veçmas ato pas vitit 1912, kur vetëm gjysma e Shqipërisë u bë e lirë dhe e mosvarme; autorin e veprës me vargje interesante ”Shtatë ëndrrat e Shqipërisë”, të shkruar me ndjeshmëri atdhedashurie, hoxhën që burgosej pse lexonte Skënderbeun e Naimit, njeriun që madje ia dërgoi me postë këtë vepër pashait në Stamboll; autorin e vargjeve përmes të cilave na e bënte me dije se: ta dojë njeriu gjuhën, kombin dhe figurat e veta më emblematike është punë madhështore.

Për të qenë më i bindshëm në qëndrime, ai sjell shembuj nga Libri i shenjtë i Islamit, rrëfen mbi dashurinë që kish profeti Muhamed për kombin dhe gjuhën amtare arabe, që sigurisht na e kujton se të njëjtën dashuri duhet ta kemi edhe ne kundrejt gjuhës, historisë, kombit dhe heronjve shqiptarë. Ja disa vargje të Hafëz Ali Korçës:

…i madh Pejgamber  –  Nur i gjithësisë

Unë jam Arab – thosh – faqe njerëzisë.

Nder të math e njihte kombësin’ e vetë.

Që këtë e thotë dhe Kur’ani vetë.

Nasjonalist them – Pejgamberët ishin

se librat – në gjuhët e veta i kishin.

Imam Vehbi Ismaili, ndërkaq, njëri prej apostujve të mendimit të lirë shqiptar, njeriu që përktheu arabisht për nevojat e shqiptarëve të Egjyptit tregimet e Ernest Koliqit, imami që festonte festat e katër besimeve fetare të shqiptarëve, hoxha me te cilin nuk ka asnjë pikëtakim mizëria e çallmave të kohës sonë që ulërijnë rrjeteve sociale kundrejt heronjve të kombit të tyre dhe kundër luftërave çlrimtare, miku i madh i poetit dhe shkrimtarit erudit Fan S. Nolit, shkodrani që emigroi në SHBA dhe që andej një jetë të tërë i shërbeu Zotit dhe Atdheut, duke mbjellur pareshtur frymën e patriotizmës dhe tolerancës ndërfetare tek shqiptarët, duke bashkëpunuar ngushtë me të gjithë për një Shqipëri laike, për një Shqipëri lule në kopshtin e madh të mëmës së saj të natyrshme – Evropës, kudo që shkonte, thoshte:

“Fetë shqiptare, pa dallim kanë bashkëpunuar dhe bashkëpunojnë për të mirën kombëtare. E kjo është gjë e logjikshme, se nuk ka asnjë parim ose mësim në asnjerën prej këtyre feve që të predikojnë dhe mësojnë urrejtje dhe përbuzje në mes të besimeve të ndryshme. Të gjitha besojnë në një Zot dhe tërë njerëzimi janë krijesa të Tija…”

“Feja kurrë nuk i ka ndarë shqiptarët. Ata që sot mundohen të përçajnë shqiptarët duke përdorë fetë si mjet… nuk duan t’i shohin shqiptarët të bashkuar për demokratizimin dhe zhvillimin e popullit shqiptar”.

Të këtillë qenë apostujt e Shqipërisë – Hafiz Ali Korça dhe Imam Vehbi Ismaili. Ndaj të tillëve nuk fshihet kurrë respekti, ashtu siç nuk duhet fshirë përbuzja ndaj kabiles së bilmezave që keqpërdorin religjionin për t’çorrientuar udhët e trasuara t’etnisë nga vullnete të pathyeshme viganësh.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button