Fitër Bajrami, KMSH shpall programin dhe uron besimtarët
Bajrami do të falet në orën 06:06 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara ish – Hotel Dajtit.
Programi i Bajramit
04:30 – 04:45- Kur’an
04:45 – 05:00 – Namazi i Sabahut (Falja)
05:00 – 05:15 – Kur’an
05:15 – 5:40 – Ilahi
05:43- 05:48 – Lexim Kur’ani
05:48-5:52 – Fjala e Kryetarit Skënder Bruçaj
05:52- 6:06 – Ligjëratë
06:06 – 06:15 – Namazi i Bajramit
06:15 – 06:30 – Hybeja e Bajramit
Urimi për Fitër Bajramin
Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Të nderuar besimtarë shqiptarë, kudo që ndodheni!
Më lejoni që në këto çaste të gëzuara të festës se Fitër Bajramit, këtij momenti të gëzimit dhe të lehtësimit shpirtëror, t’ju përcjell urimet e mia më të sinqerta dhe të përzemërta, për një jetë sa më të lumtur, për shëndet dhe mirësi, për sukses në çdo sferë të jetës; me shpresën e madhe, që Zoti të na ketë falur mëkatet tona dhe të ketë pranuar adhurimet dhe sakrificën tonë.
Ne përcollëm me përmallim Muajin e Bekuar të Ramazanit, një mysafir i shtrenjtë, por që vetëm një herë në vit vjen. Na zbukuron me ngjyrat e tij të bukura dhe pastaj largohet pasi të ketë zbatuar detyrën. Kështu sot me gëzim të natyrshëm po i urojmë mirëseardhjen Fitër Bajramit.
Të gjithë besimtaret myslimanë mbartin në zemrat e tyre shpresën se Zoti i Madhëruar na ka pranuar agjërimin, namazet, lutjet dhe duatë, leximet e Kur’anit, si dhe netët e kaluara me adhurim e përkushtim vetëm për hir të Tij.
Bajrami është simbol i paqes, i gëzimit, i harmonisë, i qetësisë shpirtërore, moment i lartësimit të Allahut dhe koha e shpresës së arritjes së kënaqësisë së Krijuesit, që është edhe qëllimi final për çdo besimtar.
Duke përfituar nga përkujdesja e veçantë hyjnore, që Zoti i madh ka ndaj nesh në ditët e Bajramit, unë i lutem Atij dhe ju ftoj edhe ju t’i lutemi së bashku për më shumë paqe, begati gëzim e harmoni, për shuarjen e luftërave dhe konflikteve anë e mbanë globit.
I lutem gjithashtu Allahut t’i mbushë zemrat tona me ndjenja të dashurisë, dhembshurisë, respektit dhe mirënjohjes.
O Zoti ynë! Jepi begati, mirësi, paqe e qetësi shoqërisë sonë dhe atdheut tonë Shqipërisë, e bashkë me të mbarë njerëzisë.
Gëzuar e përshumvjet Fitër Bajramin.
Zoti e begatoftë çdo ditë tuajën.
Amin!