Komuna e Tetovës në borxhe, parkingjet mbyten në baltë

Akoma nuk kanë përfunduar punët për asfaltimin e 80 vendparkimeve në rrugën ‘Bllagoja Toska’ në Tetovë, punë këto që i filloi ish kryetari i komunës Sadi Bexheti në kohë parazgjedhore ndërsa i mori përsipër kryetarja aktuale Teuta Arifi.

Problemi qëndron se Komuna i ka borxh kompanisë e cila i punon këto parkingje, ajo deri sa ti merr paratë, refuzon të punojë.

Udhëheqësi i sektorit për komunikacion dhe tokë ndërtimore në Komunën e Tetovës, Hysein Demiri thotë se punët  janë filluar kohë më parë dhe kompania e cila e ka tenderin akoma nuk i ka marrë të hollat për punën e kryer.

“Kjo është arsyeja pse nuk kanë përfunduar punët në këtë rrugë dhe nuk mund të intervenohet deri sa të bëhen pagesat  ndaj kësaj kompanie” thotë për Portalb, Demiri.

Edhe vendparkimi prapa restorant Tivoli është lënë me punë të përgjysmuara. Duke e pasur parasysh faktin se Tetova është e stërmbushur me vetura, deri sa të paguhen borxhet tetovarët do të vazhdojnë me nervozizëm të kërkojnë parkingje nëpër qytet. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button