Rama: Partneriteti strategjik Shqipëri-Kosovë-Turqi, për të mirën e popujve tanë

Ceremonia e inaugurimit të terminalit të ri në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” ka mbledhur bashkë kryeministrat e Shqipërisë, Kosovës dhe Turqisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri shqiptar Edi Rama theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik Shqipëri-Kosovë-Turqi, për të mirën e popullit shqiptar dhe atij turk. Duke shprehur mirënjohje për kryeministrin turk, për përkushtimin dhe mbështetjen e tij ndaj shqiptarëve, kryeministri Rama tha se zoti Erdogan është një mik dhe vëlla i pandarë në festa e vështirësi.

“Kryeministri Erdogan është miku dhe vëllai ynë i pandarë në ditë me diell arritjesh të bukura si kjo e sotmja, por dhe në kohë të vrenjtura kur miqtë e vërtetë dallohen mbi të tjerët. Askush nuk do ta harrojë përkushtimin dhe mbështetjen e tij të paçmuar për pavarësinë e Kosovës”,- deklaroi Rama. 

Kryeministri Rama theksoi se kjo ceremoni është një rast kuptimplotë për të qenë krenar dhe mirënjohës për Kosovën dhe për tu krenuar gjithashtu me kryeministrin Hashim Thaçi.

Sipas shefit të qeverisë shqiptare, “Aeroporti i Prishtinës nuk mund të kishte një emër më të goditur, se sa atë të njeriut që i dha krahë ëndrrës së Kosovës së lirë e të pavarur”.

“Adem Jashari është emri i krenarisë së këtij vendi dhe nga sot Kosova e re do të presë me krenari legjitime në këtë portë të qiellit të saj të lirë miqtë e vet që shtohen dita ditës. Urime me gjithë zemër të gjithëve për këtë vepër të shkëlqyer që afirmon ambicien e Kosovës, ky shtet që është vetëm 5 vjeç, por që ka renduar dhe ka kapur shumë nga koha e humbur, duke u bërë shembull admirues për rajonin. Monumenti i gjallë i kujtimit të Adem Jasharit dhe monumenti i mikpritjes së Kosovës së lirë për të gjithë miqtë dhe vizitorët e vet”,- u shpreh kryeministri shqiptar. (BW)

Lajme të ngjashme

Back to top button