Femrat e mbuluara protestojnë për shkelje të të drejtave

Organizata Joqeveritare e Femrave për Zhvillim Profesional, së bashku me femrat e mbuluara, kanë dalë sot të protestojnë në Prishtinë dhe t’i mbështesin femrat e mbuluara me shami, siç thanë ato për padrejtësitë që po u bëhen nëpër institucione, si largimi nga puna, nga shkollat, paragjykimet etj.

Ato kanë mbajtur pankarta në duar, ku thuhej: “Mbulesa ime, zgjedhja ime, stili im, jeta ime”, “Unë i mbuloj flokët po jo trurin tim”, “Një femër e arsimuar një shoqëri e ngritur”.

Belkise Berisha, drejtuese e QJQ-së ka thënë se kanë dalë në përkrahje të këtyre femrave që po u cenohet e drejta.

“Prezenca ime këtu flet për një përkrahje dhe mbështetje të vajzave që organizata ka për qëllim zgjerimin e saj në sfera të ndryshme. Ne konsiderojmë se këtyre grupeve që i përkasin një komuniteti fetar në Kosovë janë duke iu bërë cenime të shkeljes së të drejtave të njeriut. Ne si organizatë kemi përkrahur për disa arsye këto veprime që po ndërmerren, pra është fjala për përjashtime nga shkollat e mesme, gjithashtu është fjala përjashtime nga puna si dhe nga paragjykimet”, ka thënë Berisha.

Ndërsa, Nora Huseinoviq-Veliu, protestuese ka thënë se janë duke e shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me limitimin e të drejtave të tyre që po u bëhen nga pushtetarët, raporton KP.

“Sipas të drejtës ndërkombëtare e drejta për të manifestuar fenë mund të limitohet vetëm me akt Parlamenti, ndërsa, sot kjo e drejtë po u limitohet këtyre vajzave në bazë të një akti nën ligjor”, ka shtuar Veliu.

Edhe Dafina Delia, nxënëse e shkollës së mesme e cila po ashtu është përjashtuar nga shkolla shkaku i mbulesës, ka thënë se padrejtësisht ia kanë mohuar shkollimin. Ajo ka thënë se presidentja dhe deputetët e kuvendit shpesh kanë përmendur të drejtat e femrës, por në realitet nuk kanë ndërmarr asgjë.

“Shpesh e kemi dëgjuar presidenten por edhe deputetet që flasin për të drejtat e femrës, lirinë dhe arsimimin e saj e pse unë nuk mund t’i kem këto të drejta apo thjeshtë zonjat në fjalë i kanë mësuar përmendësh ato fjalime të bukura e nuk veprojnë ashtu në realitet. O ju pushtetarë si do ju dukej juve sikur fëmijët e juaj të ishin në vendin tim, të diskriminuar të shkelur e të mohuar nga vetë shteti të përjashtuar nga shkolla, a nuk i keni menduar vet këto gjëra”, ka theksuar Delia.

Lajme të ngjashme

Back to top button