Skëndërbeu – Vardari, duel i mundshëm në Ligën e Kampioneve

Fitorja 4-1 ndaj irlandezo veriorëve të Crusaders në ndeshjen e parë të zhvilluar në Korçë favorizon ndjeshëm Skënderbeun që tashmë mund të konsiderohet me një këmbë skuadra e kualifikuar në raundin tjetër të Ligës së Kampioneve. Në 21 Korrik në Irlandën e Veriut kampionëve të Shqipërisë u mjafton të administrojnë rezultatin e ndeshjes së parë por më shumë sesa te takimi i kthimit ndaj Crusaders te Skënderbeu kanë nisur të mendojnë për shortin e turit të tretë kualifikues të Ligës së Kampioneve të UEFA-s, që do të hidhet këtë të premte në Nyon duke filluar prej orës 12:00. Nëse në raundin e dytë Skënderbeu bënte pjesë në vazon e skuadrave favorite, këtë herë korcarët duhet t’i bëjnë mirë llogaritë sepse për shkak të koeficentit më të ulut krahasuar me klubet e tjera që mund të jenë pjesë e shortit ndodhen në vazon e skuadrave jofavorite, dhe nëse kualifikohen në turin e tretë mund të kenë përballë një kundërshtar shumë më të fortë se irlandezo veriorët e Crusaders.

Skuadrave të kualifikuara nga raundi i dytë në shortin e të Premtes do t’u bashkangjiten 13 klube të tjera që e nisin aventurën e tyre në turin e tretë. Ekipe të tilla si Monaco, Ajax, Fenerbahce, Cska e Moskës apo edhe Club Brugge janë disa nga risitë e shortit, megjithatë Skënderbeu nuk ka pse të shqetësohet për rrezikshmërinë e madhe që paraqesin këto skuadra sepse Uefa që prej sezonit 2009-2010 ka bërë një ndarje në short dhe klubet jo kampione të vendeve të tyre nuk mund të ndeshen me skuadrat që kanë fituar kampionatet respektive, kështu që Ajax ose Monaco nuk janë kundërshtarë të mundshëm për formacionin e Mirel Josës. Gjithsesi Skënderbeu në short mund të peshkojë një nga tre klubet kampione që e nisin Championsin nga raundi i tretë si Baseli, Red Bull Salzburgu dhe Viktoria Plzen kundërshtarë dukshëm më të fortë në letër se kampionët e Shqipërisë.

Një rrezikshëmri të lartë për Skënderbeun në short paraqesin edhe skuadra të tilla si Celtic Glasgow, Steaua e Bucurestit, Dinamo e Zagrebit, Bate Borisov dhe Maribor gjithmonë nëse këto ekipe arrinë të kualifikohen në raundin e tretë. Mundësia e vetme që korcarët të kenë një short të favorshëm në Nyon të Zvicrës është që skuadra surprizë si Milsami i Moldavisë apo Vardari i Maqedonisë të avancojnë më tej duke bërë mrekullinë dhe korcarët të shortohen me njërën prej tyre. Kampionët e Moldavisë kanë realizuar surprizën e madhe në ndeshjet e vajtjes së turit të dytë duke mundur me rezultatin 1-0 në transfertë bullgarët e Ludogorets, ndërsa Vardari i Shkupit mori një barazim shumë të vlefshëm jashtë fushe me shifrat 0-0 përballë qipriotëve të Apoel Nicosias.

Lajme të ngjashme

Back to top button