MJERIMI

Idealet e disa brezave të së kaluarës sonë ranë në ujë. Kjo është e vërteta. Çka është – është. Sot e kemi punën: viran!

Brezat që ishin adhurues të iluminizmit francez dhe letërsisë së madhe evropiane – nuk janë më. Ishte kjo një përpjekje të krijohet imazhi i një bote reale e udhëhequr nga figurat e mëdha si Jeronim De Rada, Naimi dhe Vaso Pasha. Ishin këta burra që i vunë themelet e Rilindjes së madhe kombëtare shqiptare dhe e krijuan mundësinë që ne ta vazhdojmë jetën me identitetin dhe me gjuhën e sotme shqipe.

Pas tyre erdhën personalitete që e krijuan Shqipërinë, vepër kjo që e shpëtoi qenien tonë nga rreziku që të na gllabërojë asimilimi dhe zhdukja fizike e shqiptarëve ashtu siç ndodhi e siç po vazhdon të ndodhë në Greqi, Turqi e gjetiu.

Pastaj – komunizmi, pasojat e të cilit po i jetojmë sot, kur jemi bërë personazhe të një drame të përçarjes kombëtare.

Njeriu i thjeshtë është detyruar të bëhet ushtar i një partie duke mbajtur afishe dhe duke shpërndarë sloganet e saj. Vrapo përpjetës e lëshohu tatëpjetës, me një dorë librezën e dorën tjetër megafonin gjithë ditën e lume e reklamon partinë e tij e kthehet në shtëpi me një bukë të djeshme që e blen në furrë me gjysmë çmimi. As mendja nuk i shkon se stofi i teshave të tij është hëngër tërësisht, kurse këpucë i kanë mbetur pa topukë.

Njeriu tjetër i thjeshtë shpëtimin e sheh te kleri i cili për çdo ditë e më shumë shtohet si numër po mbetet vazhdimisht shumë zaif si cilësi. Kur thërret ezani, njeriu i thjeshtë shkon ndër të parët te shatërvani i xhamisë që të marrë abdes e ta shohin të tjerët sa i devotshëm është. Ndodh që vetëm t’i lëvizë buzët, sepse asnjë dua nuk e di. Natyrisht nuk e pranon këtë, sepse do ta përqeshin. Më mirë e ka me perëndinë se me njerëzit. Ndoshta perëndia mund ta falë këtë mashtrim. Dhe, ka bindje se e fal. Mirëpo njerëzit as këtë s’ta falin, veçmas ata që shpeshherë e zënë sajfin e parë.

Kur dolëm te klerikët ata e përbëjnë një soj të njerëzve të rëndomtë. Le  të themi se ata vazhdimisht na flasin për botën tjetër, mirëpo për vete angazhohen të kenë pushtet e para të këtushme, të kësaj bote. A ju kujtohen grindjet dhe zënkat nëpër xhami dhe në BFI?

Njeriu i tretë i thjeshtë është ai që është asimiluar. E di mirë se është shqiptar, por në mjedisin dhe në gjuhën ku e ka hedhur vala e turbullt e fatit, mundohet të bëhet më turk se turku, më grek se greku, më maqedonas se maqedonasi, më serb se serbi. Ky pranon të vihet në shërbim të gjithkujt kundër shqiptarëve. Dhe, bëhet i zellshëm në punën e papunë që e bën.

Sojit tjetër i takon ai mjeshtri i madh i tenderëve. Ky nën hijen e punës së madhe dhe të “obligimeve me peshë që ka”, nuk flet me njerëzit e rëndomtë, por tërë kohën e shpenzon me plane e me kombinatorika duke kërkuar fitime parash, shtëpi, vetura të shtrenjta pa derdhë një pikë djerse. Dhe, natyrisht duke numëruar paratë.Ky tip mendon se do të jetë i përjetshëm.

Tjetri pas këtij është që tipi i njeriut tonë di vetëm shqip, por që nuk e di peshën e përkatësisë, nuk çan kokë për vlerat e tërësishme që e bëjnë njeriun të identifikohet me kombin e vet. I zhytur në greminën e varfërisë argëtohet me këngët e Cecës, sepse kjo gjendje e ka muzikën dhe ritmin e vet të veçantë të imponuar nga propaganda që shtrihet gjerë e gjatë pikëllimit. Ky tip njeriu nuk mendon për shkollimin e fëmijëve. I mjafton se shteti i ka hapur dyert e shkollave të mesme për të gjithë, paçka se fëmija s’i mëson. Diti s’diti fëmija e tij do ta mbarojë shkollën, por, gjithashtu, e di se fëmija e tij nuk do të gjejë punë kurrë. Prandaj ky i mban sytë kah perëndimi. Atje e sheh shpëtimin. Po gjeti letra për të birin ose të bijën për martesë me dikë në perëndim, atë ditë e ka bajram ose pashkë, sepse në ditë të festave ai s’ka mundësi ta shtrojë tavolinën ashtu siç e lyp adeti.

Është edhe një soj nga ne që punon në zyrat e burokracisë. Ky shpesh bëhet më i vështiri kur te sporteli i tij vjen ndonjë shqiptar ta nxjerr ndonjë dokument të thjeshtë. Burokrati i dalë nga çerdhja e varfërisë si harabel pa pupla, shndërrohet në një shpend të madh grabitqar që i sulet sojit të vet. Në këtë kallëp janë edhe burokracia që rri në shtëpi dhe merr rogë. Dhe, fare nuk skuqet se i merr paratë e popullit të vet pa punuar fare. Ky shpeshherë punon diku tjetër në të zezë duke ia marrë bukën e ndonjë të ngrati.

Është edhe një soj, soji i spiunëve dhe soji i atyre që i uzurpojnë shoqatat kulturore. Këta shiten për patriotë dhe konsiderojnë se patriotizmi është pronë e tyre. Në pallatet e tyre botohen vepra me ngjyrë rozë dhe mbahen koncerte tallava.

Realiteti i tyre është mosnjohja e punës grandioze të brezave të rilindësve dhe të brezit 68 të vitit të kaluar. Mosnjohja ose mosrespektimi i idealeve të këtyre brezave që dhanë gjithçka për veten, për dallim nga këta që s’japin gjë prej gjëje për ta ndryshuar gjendjen tonë, por mjaft sysh marrë për ta penguar ecën tonë.

Realiteti i tyre është lufta e pa kompromis i lagjes kundër lagjes, i fshatit kundër fshatit, i qytetit kundër qytetit i krahinës kundër krahinës.

Realiteti i tyre është mjerimi.

Megjithatë është janë dy pika që i bashkojnë këto karaktere: lufta që bëjnë kundër bashkimit kombëtar dhe lufta e egër kundër njëri-tjetrit. Të gjithë këta luftojnë kundër të gjithëve. Të krijohet përshtypja se janë bërë fise që luftojë për një copë shkretëtire ose për një copë xhungle. Aq, hiçgjë më shumë. Kurse ku shkelin këta bari nuk mbin. S’ka si mbin kur shkellin aq ushtarë të absurdit.

Prandaj e kemi punën – viran!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button