Marrëveshja për Greqinë frikëson partinë spanjolle

Partia e majtë spanjolle, “Podemos” e ka kritikuar marrëveshjen e arritur sot në Bruksel, e cila vendos kushte për qeverinë helene që kjo e fundit të përfitojë nga programi i ndihmës.

“Ajo që po përpiqen të bëjnë në Greqi është lançimi i grushtit të shtetit financiar dhe shndërrimit të tij në protektorat”, tha Pablo Echenique, një ish-anëtar në PE, i pari anëtar i “Podemos” që reagon publikisht ndaj marrëveshjes në Bruksel, që e detyron Greqinë të ndërmarrë reforma rrënjësore, transmeton Shekulli.

“Podemos” është një parti aleate e “Syriza”-s, e cila është kundër shtrëngesave financiare të vendosura ndaj Greqisë nga autoritetet evropiane. Pablo Iglesias, lideri i kësaj partie, e ka mbështetur Aleksis Cipras gjatë bisedimeve në Bruksel, para arritjes së marrëveshjes. ‘Podemos’ është partia e tretë më e madhe në Spanjë dhe ka fituar popullaritet gjatë vitit të fundit.

“Bloomberg” shkruan se kapitullimi i Greqisë përpara kërkesave të kreditorëve në përpjekje për të qëndruar në Euro mund të shërbejë si një “testim realiti” për aleatët e Kryeministrit Aleksis Cipras në vende si Spanja, ku ato po garojnë për pushtet. Spanja, e cila do të mbajë zgjedhjet kombëtare këtë vit, është barometri i parë që do të peshojë marrëveshjen me Greqinë.

Sipas një analisti spanjoll, Antonio Barroso, i cili jeton në Londër, marrëveshja “nuk është pozitive për ‘Podemos'”. “Mesa duket, nëse vjen nga një platformë e ekstremit të majtë, duhet të jetosh me kushtet e unionit monetar”, tha Barroso. Ndërsa Pablo Iglesias nuk e komentoi marrëveshjen, por një ditë më parë ai deklaroi në “Twitter”, gjithë mbështetjen për grekët dhe qeverinë e tyre kundër “mafiozëve”.

Lajme të ngjashme

Back to top button