SHBA, Scott Walker: Po, do të garoj për president!

Guvernatori i Uiskonsinit, Scott Walker bëri publik mëngjesin e së hënës vendimin e tij për të garuar për drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.

“Po, unë do të garoj, sepse amerikanët kanë nevojë për një lider që të luftojë për ta dhe të fitojë për ta”, ka thënë Walker përmes një postimi në rrjetin social Twitter, transmeton Top Channel.

Guvernatori i Uiskonsinit konsiderohet një kandidat i rëndësishëm në garën e republikanëve për nominimin e kandidatit për president. Ai ka përballë 14 rivalë që e kanë nisur garën shumë më herët.

“Amerika ka nevojë për një lidership të ri e të freskët, me ide të mëdha nga jashtë Uashingtonit, për t’i realizuar objektivat”, ka thënë më pas Walker në një video të postuar në Youtube.

Walker shpreson të nxjerrë në pah aftësitë e tij si një guvernator konservator i një shteti, ku ai ka fituar tre zgjedhje në një hark kohor prej 4 vjetësh, përfshirë këtu një kontest me sindikatat e punës pas rizgjedhjes në vitin 2012.

Gjithashtu, rrënjët evangjeliste të Walker, babai i të cilit ishte ministër për Pagëzimin, mund t’i japin atij një shtysë të fortë në votimet për nominim në shtetin e Ajouas, ku ai ka jetuar për 7 vjet kur ishte fëmijë.

Lajme të ngjashme

Back to top button