8372-shi dhe katarsisi

Mijëvjeçari i ri përbën një fazë e re e zhvillimi human dhe shoqëror të Ballkanit, që përfaqëson fillimin e një periudhe të re të ndryshimeve sociologjike, një kaptinë të re, që duhet të jetë më e mirë se e kaluara e shek. XX, e ndryshme nga fragmentimi që ka gjeneruar termat “ballkanizim” dhe bosnizim. Këto dy terma nënkuptojnë një realitet të rëndë social, shprehur me fjalët e Hobbes-it „luftë e çdokujt kundër çdokujt“; gjendje të përplasjeve gjenocidale mes përkatësive të ndryshme etnike dhe fetare; përpjekje për të zhdukur „tjetrin“ pa kurrfarë kompromisi, terror social që ka si metaforë ferrin ballkanik në përgjithësi dhe atë boshnjak në veçanti të fundit të mijëvjeçarit (1992-1995). Bosnizimi është status i shoqërisë së ndarë, me pak gjasa për të arritur kohezionin social. M. Martinello këtë term e përdor në kontekst më të gjerë dhe flet për një skenar më të rrezikshëm: „bosnizimi i botës“. (Martinello, 2001) Ballkanizimi solli sërish aktualizimin e gjenocidit si atak ndaj njeriut dhe njerëzimit. Gjenocidi, gr. genos = popull dhe latin. cidere = vrasje, ka domethënien e vrasjes, mbytjes, shfarosjes ose të shkatërrimit të një populli të tërë ose të një pjese të tij. Termi në fjalë shpikur nga Raphäel Lemkin dhe në të gjitha gjuhët ka ngjyrim keqësues: antiqytetërues dhe barbar. Shënon përpjekjen për të spastruar etnikisht një rajon, në mënyrë që në të ketë vetëm një grup etnik. Si krim ndërkombëtar i rëndë, juridikisht përfshin çfarëdo veprimtarie për zhdukje ose shfarosje të paramenduar dhe sistematike të tërë një kombi, grupi etnik, racor ose kulturor. Si veprime kryesore të gjenocidit trajtohen: vrasjet, lëndimet trupore të rënda, dëmtimet shpirtërore, fizike ose shëndetësore të rënda të grupit të caktuar, vënia në pozita jetësore që e çojnë atë në shkatërrim të pjesshëm ose të tërësishëm, zhvendosjet e dhunshme të anëtarëve të grupit të caktuar, ndërmarrja e masave që e pengojnë lindshmërinë normale dhe zhvendosja e dhunshme e fëmijëve të një grupi të caktuar në grup tjetër. Sipas Horowitz-it, edhepse në të kaluarën ka pasur ushtrim të dhunës institucionale prej shtetit dhe kishës ndaj grupeve të ndryshme shoqërore (p.sh. ndaj disidentëve fetarë, popujve indigjenë, „shtrigave“ etj.), ekzistojnë argumente bindëse se gjenocidi është dukuri e kohëve të reja. Si shembuj të tij janë holokausti nazist ndaj hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore, „fushat e vrasjes“ në Kamboxhien e Pol Potit, masakrat ndërfisnore në Ruandë, gjakataria serbe ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve në fundin e shekullit të shkuar etj.

Boshnjakët e këtyre ditëve po përjetojnë dy sprova, agjërimin e ditëve të nxehta dhe përballjen me memorjen (11 korrik 1995) e tentimit për të eliminuar një popull, gjenocidin e asocuar me Srebrenicën, me mijëra shpirtëra të marrë nga dora e ultra-nacionalizmit serb që si kuçedër iu sul tjetrit, në veçanti muslimanëve boshnjakë. Përkujtimi në Potoçare është përkujtim i një tragjedie të humanitetit, një vrragë e të keqes që „nuk duhet harruar për të mos u përsëritur“. Srebrenica është ndërgjegjja e vrarë e Europës dhe botës, është një diçka që të lëkund fort besimin në instancat dhe institucionet ndërkombëtare, që të lë pa tekst, që t’i rrënon të gjitha tezat për moralpolitikën globale, që niset nga ideja se njeriu për nga natyra është i mirë, se koekzistenca dhe kooperimi jan shënjuesit kryesorë të jetës. Realpolitika, tezë që thotë se forca, pushteti, agresiviteti janë determinues të raporteve mes entiteteve të ndryshme, me sa duket është bërë kulturë dominante e marrëdhënieve ndërkombëtare të kohës sonë.

Sot, pesëmbëdhjetë vjet pas shekullit të përgjakshëm dhe kalvarit ballkanik që u përmbyll me krizën-masakrën kosovare, pyetjet që shtrohen janë nëse Ballkani po shkon drejt EUtopisë, Europës së mirëqenies ose drejt kakostopisë (vendit më të keq të mundshëm)? Vallë do të europianizohemi ne ose do ta ballkanizojmë Europën? Vajtja e Vuçiqit më 11 korrik në “vendin e krimit çetnik” duhej të ishte një akt i vullnetit të mirë, por me gjasë vizita e një aktori-politikani me fjalor sisheshelian më tepër ka irrituar se sa që i ka shërbyer mea culpa-s (rrëfimit) kolektive serbe. E vërteta nga terreni thotë se Serbia duhet të investojë shumë më tepër në demillosheviqizimin dhe dekaraxhiqizimin e vet, sikur që gjermanët investuan shumë në projektin e denazifikimit, të katarsisit nga mëkati i racizmit hitlerian. Vetëperceptimi serb duhet të ndryshojë shumë gjëra tek vetja, për të arritur ta bindë palën tjetër se vërtet ballafaqohet me të kaluarën e vet të shëmtuar dhe gjenocidale. Nuk mund të ketë paqtim të mirëfilltë mes boshnjakëve dhe serbëve me kuaj trojanë si sharllatani Dodik dhe me kripto-shtete si Republika Sërpska e formuar me gjakun e  derdhur të boshnjakë dhe në territore të okupuara të pastruara nga myslimanët vendas. Vishegradi dhe Foça s’mund të bëhen kurrë qytete autentike serbe, ato mund të jenë edhe serbe por jo 100 % serbe.

Bosnja është fati dhe ardhmëria e Ballkanit, nëse dështon ajo, mbi Ballkan shfaqen re të zeza. Andaj në veçanti serbët, ngado që janë e kanë për borxh etik që të merren me mëkatet e kolektivizuara (ndonëse jo të gjithë serbët kanë bërë krime lufte), të shpërlajnë veten nga historia e vet e shëmtuar,  të bëjnë një ndryshim ekstrem në ndjesinë e vet që do të rezultojë me rinovim dhe restaurim, me perceptim ndryshe te komshinjtë shekullorë, boshnjakët, kroatët, shqiptarët. Vendimet formale në OKB ose në instanca të tjera lidhur me “rastin Bosnjë” nuk çojnë peshë nëse e relativizojnë krimin, as falënderimet banale ndaj vetos ruse, sepse të njëjtat nuk sjellin dobi në terren në marrëdhëniet me “tjetrin e pashmangshëm”. Serbia ka nevojë që të shihet mirë në pasqyrë dhe të pranojë atë që BBC që në vitet e luftës e ka quajtur gjendje skëterrore (hellish situation), banjo e gjakut, kasaphanë (slaughter in Bosnia). Përderisa ka raste si ai i një të riu beogradas në të njëzetat, që me motive religjio-nacionaliste në autobus theri para do kohe një boshnjak, ndonëse në konfliktin boshnjak s’ishte lindur, nuk mund të flitet se kodi mental i serbit ordiner ka evoluar. Përderisa brohoritet “nozh, zhica, Srebrenica”, (thika, teli Srebrenica), “Mbyte, mbyte shqiptarin!”,  përderisa të arriturat sportive si fitorja e Kupës Botëtrore U20 në futboll shënohen me eufori mitologjike për “Kosovën serbe” nuk mund të pritet europianizim i rajonit as për një term imagjinar si Pax Balkanica. Në këtë kontekst, faktori ndërkombëtar duhet të jetë më agil në procesin e paqëndërtimit. Drejtësia duhet të jetë objektiv parësor i arbitraritetit ndërkombëtar e jo relativizimi i krimit, sepse “shpërblimi” i kriminelit me mosndëshkim u jep oreks kriminelëve potencialë. Siç thotë John Dalhuisen nga Amnesty International, “pa përgjegjësi, drejtësi dhe kompensim, nuk mund të arrihet kurrë një pajtim i qëndrueshëm”. Pa katarsis të socializuar, ka gjasa që historia të përsëritet, S’është e rastësishme që mbi boshnjakët deri tani kanë ndodhur dhjetë gjenocide (M. Spahiq). 1995. Srebrenica. 8372 viktima. Mos u përsëritshin kurrë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button