Intervistë me myftiun e Tetovës, Prof. Dr. Qani Nesimi

Në një intervistë të Portalb-it me myftiun e Tetovës, Prof.Dr Qani Nesimi flet për përvojën e tij si myfti, për problemet që rëndojnë punën e hoxhallarëve si dhe për dilemën si duhet vepruar një besimtar përballë zhvillimeve botërore në botën muslimane.  Ai flet gjithashtu për çështjen e dhënies së zekatit, zhvillimet e fundit në BFI, si dhe fenë në politikë.

Portalb: Myfti, vini nga bota akademike, nga universiteti në postin e njeriut të parë të Muftinisë së Tetovës. A paraqet kjo një ndryshim radikal në jetën tuaj?

Q.Nesimi: Bismillahirrahmanirrahim. Po, është e vërtetë që kam qenë një kohë të gjatë në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe tash jam kthyer në Bashkësinë Fetare Islame, gjegjësisht në Myftininë e Tetovës por, për mua kjo nuk është një botë e re. Unë në kuadër të bashkësisë islame kam shërbyer si imam në njërën prej xhamive në qytet, konkretisht në xhaminë “Eski”, si dhe poashtu një periudhë kam qenë edhe në këtë myftini Kryetar i Kuvendit. Ky veprim i imi vërtetë në dukje dhe në botëkuptimin e shoqërisë tonë, është një hap që nuk paramendohet. Ne kemi krijuar një bindje se ka mundësi nga Bashkësia Islame dhe nga Myftinia të kalohet në universitet, po jo nga universiteti të kalohet në Bashkësinë Islame dhe në Myftini, por unë mendoj ndryshe. Unë mendoj se kam bërë një hap të guximshëm dhe të rëndësishëm në shërbim të shoqërisë. Universiteti është në shërbim të shoqërisë, por i shërben një sektori të caktuar të gjeneratave për përgatitjen e shoqërisë në të ardhmen, ndërsa Bashkësia Islame, gjegjësisht Myftinia e Tetovës bën përgatitjen e shoqërisë për një të ardhme në tërësi dhe kjo për mua paraqet një nder. Sidomos këtë idenë dhe këtë bindjen time e vërtetoj edhe me anë të deklaratave të kolegëve të mi të Universitetit, të kolegëve të mi këtu brenda Bashkësisë Fetare Islame, si dhe nga mesazhet dhe mirëkuptimet ose urimet që kanë ardhur nga shtresa të ndryshme të shoqërisë.

Portalb: Cilat projekte janë kryesore gjatë punës suaj?

Q.Nesimi: Njëri prej hapave konkret ka qenë që ditët e xhumaja të jemi gjithmonë pranë xhematit, pranë popullatës, pranë shoqërisë dhe këtë mundohemi që ta realizojmë nga dita e parë që kemi filluar, domethënë çdo të premte, çdo xhuma ne jemi në njërën prej xhamive të Tetovës, apo rrethinës së Tetovës. Një tjetër është që të kemi aktivitete kulturore nëpër manifestime të ndryshme që bëhen, që do të jenë më të bujshme dhe më cilësore. Një aktivitet tjetër është që ne të kemi mundësi t’i ofrojmë kësaj shoqërie shërbimet tona më kualitative fetare, prandaj për këtë ka qenë ideja që të kemi kontakt me disa sektore të Bashkësisë Fetare Islame në Myftininë e Tetovës; më konkretisht, ideja ka qenë që të takohemi me njerëz të cilët shërbejnë në një xhami dhe për popullatën njihen hoxhallarë të xhamisë, por ata bëjnë shërbime të ndryshme, njëri prej tyre është imam, tjetri mualim, një tjetër është muezin, dikush është edhe zëvendës imam, domethënë secili prej tyre bën një shërbim të caktuar në xhami. Imami duhet t’i falë xhematin dhe të koordinojë jetën fetare, që është kryesore në xhami; mualimi është një mësues i mësim-besimit fetarë në mektebet pranë xhamive dhe kjo është një punë mjaftë interesante, mjaftë e lodhshme po shumë e frytshme, e cila i mbush të rinjtë me njohuri edhe të kulturës fetare po edhe të librit të shenjtë të Kur’anit Adhimushan; muezinët kanë një specifikë të veçantë.
Ata me zërin e tyre, kontakton me veshin jo vetëm të atij që është në xhami ose që është përgatitur të shkojë në xhami,  kontakton me veshin e atij që është besimtarë, që është musliman, që është ortodoks, që është ateist, që dëshiron të vijë në xhami, që nuk dëshiron të vijë në xhami, pra në këtë segment muezini është duke bërë një veprim shumë interesant, i cili duhet të ketë gjithmonë parasysh se kur e thirr ezanin, ezani duhet t’i vijë i këndshëm dhe i shijshëm, domethënë duhet të ketë atë segmentin melodiko-artistik, që të mos ia prish rehatinë asnjërit nga bukuria e thirrjes së ezanit, po kjo nuk mund të bëhet nëse në shpirtin e atij që e thirr ezanin ka një bindje se është duke bërë një ibadet. Përveç kësaj, ne kemi edhe programe të tjera dhe i planifikojmë në të ardhmen që t’i kemi edhe nëpër televizione të ndryshme tonat lokale dhe rajonale.

Portalb: Thoni se jeni gjithmonë prezent nëpër xhamitë anekënd Pollogut, Tetovës, keni detektuar probleme që rëndojnë punën e hoxhallarëve?

Q.Nesimi: Pikërisht, ka disa lloje të ngarkesës që i bëhen hoxhallarëve. Hoxhallarët tanë tradicionalisht shërbejnë  24 orë, 7 ditë në javët. Kështu profesion/zanat tjetër në këto rrethet tona nuk ka, dhe kjo është një ngarkesë mjaftë e madhe por, në sajë të shërbimit të këshillave të xhamive, të cilët luajnë një rol shumë të rëndësishëm, të cilët nuk paguhen për këtë punë, por janë vullnetarë, dhe besoni se në të shumtën e rasteve janë shumë të suksesshëm dhe në saje të tyre imami në koordinim ka mundësi që ndonjëherë të mungojë ose të paktën diku imami ka caktuar një ditë që ta ketë të lirë. Një problem tjetër që është i ndryshëm nga vendi në vend, është çështja e relacionit të imamit me xhematin. Ndryshe është një imam që është në një vend ku nuk e ka xhematin e përzier, ndryshe është ai që e ka xhematin e përzier nga vende të ndryshme.

Ka vende ku xhemati janë të nacionaliteteve të ndryshme, ku fliten gjuhë të ndryshme, ka xhemate ku është niveli pak më i ngritur dhe janë sfidat më të mëdha me të cilat ballafaqohen imamët. Pra, konkretisht, njëra prej sfidave është raporti me xhematin, e dyta është raporti me mihrabin, prezenca në mihrab dhe dhënia hakun mihrabit dhe e treta që është mjaftë e rëndësishme dhe që kjo ka një segment të shpirtërisë së saj brenda, është ligjërimi që duhet imami të mbajë para opinionit, që njerëzve do t’iu jep mesazh.
Kjo është mjaftë interesante, kjo nuk i ngjan fakultetit, kjo nuk i ngjan shkollës së mesme, kjo nuk i ngjan asnjë sektorit të arsimit. Kjo është interesante për arsye se gjatë ligjërimit një hoxhë në xhami, do të duhet të ligjërojë që t’i vijë mirë një fëmije, një të rrituri, një të moshës mesatare, një të moshës së thyer, një intelektuali, një njeriu që punon punëtorë i thjeshtë, një njeriu që është politikan, po ndonjëherë ka raste edhe kur ke hoxhallarë që të dëgjojnë që edhe atyre do t’iu vijë mirë; domethënë është një segment mjaftë i rëndësishëm, që unë mendoj se është një prej sfidave kryesore me të cilën ne ballafaqohemi.
Po mua më gëzon fakti që shumicën e hoxhallarëve i kemi të vetëdijshëm për këtë segment dhe tash Tetova, me prezencën e hoxhallarëve/teologëve që i kemi të angazhuar edhe pse kemi edhe një numër që janë të pa angazhuar nëpër xhami, po janë të angazhuar në punë të tjera, mund të them lirisht se në botën shqiptare, duke përfshirë edhe vendet tjera si Shqipëria, Kosova, Presheva e kështu me radhë, por edhe brenda në Maqedoni, sikur që është Tetova ndoshta edhe deri diku Gostivari, nuk kemi vend tjetër që të ketë aq nivel dhe aq përgatitje profesionale të teologëve, të cilët shërbejnë nëpër xhami tona.

Portalb: Si myftini, sa keni kujdes që të ruhet ai islami tradicional, ai Islam që ka qenë i njohur shekuj me radhë në këta, sa të ruhet nga ndikimi i rrymave të ndryshme?

Q.Nesimi: Realisht, ne si Bashkësi Fetare Islame dhe konkretisht si Myftini e Tetovës, kemi kushtetutën e Bashkësisë Fetare Islame, të cilës jemi gjithmonë nënshtrues, e cila nuk është bërë në kundërshtim me parimet fetare islame, parimet kuranore dhe të praktikës së Pejgamberit a.s. dhe ne gjithmonë këtë e ndjekim. Kjo është shtylla kryesore, mbrojtësi kryesor, mburoja kryesore, që e mbron Islamin të them e familjeve tona, e gjyshërve dhe stërgjyshërve tonë, të cilët kanë sakrifikuar gjithçka për të mbrojtur këtë traditë dhe ne mundohemi shumë, në mënyrë të kulturuar, në mënyrë shumë komunikative, me të gjitha grupacionet të jemi në kontakt, por kemi një bindje shumë të fortë të gjitha grupacionet kanë mundësi ta gjejnë veten brenda suazave të Bashkësisë Fetare Islame, gjegjësisht të Myftinisë së Tetovës, por ne nuk kemi mundësi që të jemi në shërbim të grupacioneve të ndryshme. Prandaj, të gjithë ata që dëshirojnë të shërbejnë në jetën fetare, ata kanë mundësi që të shërbejnë në mënyrë më produktive, në mënyrë më cilësore, në mënyrë më efektive, vetëm nëpërmjet të Myftinisë së Tetovës.

Portalb: Mendoni se ka fraksione të tilla, keni kontakte me ta?

Q.Nesimi: Fraksione publike që thonë se ne jemi kështu apo ashtu fraksione nuk ka, por ka grupe të ndryshme të cilat dalin me emra të shoqatave dhe organizatave të ndryshme. Por një gjë është e qartë, se ata derisa janë shoqata joqeveritare, që shërbejnë në emër të Islamit, ata kanë mundësi që të jenë më produktive duke bashkëpunuar dhe vepruar me Bashkësinë Fetare Islame, pornë asnjë mënyrë që ta futin Bashkësinë Fetare Islame, gjegjësisht Myftininë e Tetovës në shërbimin e tyre.

Portalb: Jeni të hapur për bashkëpunime me ta?

Q.Nesimi: Patjetër, patjetër jemi shumë të hapur, kemi biseduar gati se me të gjitha, por çdoherë paraprakisht ne kemi një mangësi shumë interesante edhe si shoqëri, pasi na ndodhin telashet, atëherë kërkojmë zgjidhje. Atëherë është e vështirë zgjidhja, por kur të fillojmë punën do të duhet të jemi në bashkëpunim, për të filluar një punë. Çdo punë që është në shërbim të shoqërisë, në shërbim të besimtarëve, të muslimanëve dhe kësaj shoqërie në këtë nënqiell, ne jemi të hapur dhe jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë, por duke mos i përzier rolet dhe pozicionet që i kemi.

Portalb: Myfti, detyrimisht këtu lind pyetja, si i vlerësoni zhvillimet në botën arabe, sjelljet, veprimet destruktive dhe antinjerëzore të disa grupacioneve? Sa ndikon kjo?

Q.Nesimi: Bota arabe është një vend gjeografikisht dhe historikisht komplekse, është mjaftë e përzier dhe unë nuk mund të flas për ata vetëm një grup ose vetëm një mentalitet, nëse ne nuk kemi parasysh sistemet që funksionojnë. Mosfunksionimi i sistemeve si duhet politike, shoqërore, sociale, fetare dhe të jetuarit një jetë të paorganizuar, vetvetiu atje bën një jetë pak më të paorganizuar fetare dhe bartja e këtyre mentaliteteve nuk është fetari, kjo është bartje e mentalitetit i cili është krijuar në rrethana dhe kushte të caktuara gjeografike, sociale, klimatike, kulturore, folklorike dhe kështu që ne nuk mund të bartim një mentalitet nga një vend në një vend tjetër. Këtu ka mundësi të hyjë edhe lloji i veshjes, ka mundësi të hyjë edhe lloji i pamjes, ka mundësi të hyjë edhe konceptit të organizimit, pra një gjë nuk është e mire vetëm pse bëhet në Tetovë, bëhet në Meke, bëhet Stamboll, bëhet në Kajro ose pse bëhet në Uashington, një gjë është e mirë nëse ajo vërtetë është e mirë.
Për ta vërtetuar një gjë fetarisht se është e mirë, duhet të jetë në koordinim me rregullat/parimet e besimit islam. Nëse një gjë e tillë nuk është në bazë të parimeve fetare islame, vetëm se i ngjanë këtij ose i ngjanë atij, kjo për mendimin tim po edhe realisht është kështu, nuk është e mirë dhe ne nuk kemi nevojë për veprime kështu të mira, po falë Zotit Tetova është e mbrojtur nga këta segmente dhe nuk kemi pasur raste që të na futen në Tetovë kësi lloje segmentesh. Të gjithë hoxhallarët që na shërbejnë, të gjithë shërbyesit, nëpunësit tanë fetarë nëpër institucionet tona të xhamive, mektebeve dhe kështu me radhë, i kemi njerëz të cilët janë mjaftë të vetëdijshëm për këto ndryshime që ndodhin dhe të mos bien nën ndikimin e ndonjë mentaliteti, i cili do të ishte në dëm të shoqërisë dhe popullatës tonë.

Portalb: Myfti, vërehet se ka një varg aktivitetesh për Ramazan, por ekzistojnë zërat se disi muajt tjerë lihen anash, mos vallë hoxhallarët janë sezonier?

Q.Nesimi: (Qesh) Keni të drejtë, ky muaj domosdoshmërish do duhet të shpeshtojë aktivitetin, për arsye se shikoni këto janë disa bonuse që Zoti ia jep njeriut. Netët e mëdha janë me rëndësi, tre muajshit janë me rëndësi dhe muaji i Ramazanit poashtu, të cilit ndryshe i thonë sulltani i njëmbëdhjetë muajve. Por kjo nuk do të thotë se ne do ta shkëputim komplet pas Ramazanit ose pas Haxhit aktivitetin, ne do të duhet ta mbajmë më gjallë aktivitetin duke pasur kontakte me popullatën, me shoqërinë, unë mendoj se disa aktivitete. Disa programe që kanë të bëjnë me inçizime të ndryshme do të jenë aktive, mendoj se disa aktivitete tjera të tubimeve, të tryezave të rrumbullakëta, të tribunave do të jenë aktive. Pra aktivitetet tona dhe kontakti me xhematin do të jetë permanent.

Portalb: Keni probleme gjatë mbledhjes së zekatit, fitrit, kurbanëve, janë hasur probleme të tilla?

Q.Nesimi: Të them të drejtën probleme kemi me njerëzit, kështu problem konkrete nuk kemi për arsye se nuk dalim në terren për t’i mbledhur ata, por problemin nëse e shikojmë në një prizëm tjetër, kemi problem se shumë pak njerëz sjellin zekat.

Portalb: Shkaku?

Q.Nesimi: Ne e dimë se shumë njerëz kanë mundësi të japin zekatin. Unë mendoj se dikush nuk ka besim në institucion, unë mendoj se shkaku kryesor është ky, por unë do të kisha apeluar t’iu them se do të jenë shumë të bindur se zekati, sadakaja e tyre këtu nuk ka shans që të jetë e humbur. Këtu çdo zyrë për popullatën tonë, për çdo gjë dhe sidomos për ata të cilët japin kontributet e tyre, e kanë të hapur kur të dëshirojnë që të vijnë të verifikojnë ku kanë shkuar paratë e tyre. Paratë e njerëzve tanë shkojnë në institucionet fetare, kulturore në Bashkësinë Fetare Islame, me paratë e njerëzve tanë ne mbajmë medresenë e vajzave, mbajmë medresenë e djemve, mbajmë fakultetin teologjik në Shkup, me paratë e tyre ne bëjmë shërbimin që i bëhet kësaj popullate, kësaj shoqërie. Por për fat të keq,dhënia e zekatit është shumë minimal. Dhënia e sadakai fitrit, edhe pse në Tetovë kemi më shumë se në vendet e tera, përsëri është mjaftë simbolike. 

Shifra, nëse do ta publikonim në Myftininë e Tetovës, do të dilte shumë më e vogël. Besoni se nëse ne në Tetovë dhe rrethinë afërsisht kemi 200,000 muslimanë, atëherë ne këtu nuk e kemi as njëzet përqindëshin e pagesës së fitrave të besimtarëve që paguajnë. Pra, nuk kemi problem për arsye se ne nuk mund të shkojmë te dera t’ia marrim fitrin dhe këtë s’mund ta bëjmë, por problemi ekziston që njerëzit nuk motivohen që ti sjellin në myftini. Segmenti tjetër që na pengon në këtë drejtim është keqpërdorimi i fitrave, i zekatit, por më vonë edhe i kurbanëve, i lëkurave të kurbanëve, që e bëjnë shoqatat e ndryshme joqeveritare, të cilat nuk kanë të drejtë një gjë të tillë ta bëjnë, por ata e bëjnë sitë them, me shpjegime të ndryshme ose me anë të keqpërdorimit të formës së komunikimit, mos e them me anë të mashtrimit që ua bëjnë njerëzve, dhe unë mendoj se çdo njeri që shërben në një shoqatë joqeveritare në këtë formë, do të ishte më e mira që ai të shërbejë në institucionin e Bashkësisë Fetare Islame, i cili është institucion autokton i këtij vendi, për t’i shërbyer kësaj shoqërie. 

Shoqatat joqeveritare nuk kanë të drejtë të bëjnë një kërkesë të tillë, e kanë të ndaluar edhe ligjërisht, edhe njerëzisht, edhe fetarisht, për arsye se çdo shoqatë ka dorën e saj të shtrirë, me të cilën mund të kërkojë nga burimi dhe kajnaku i saj nga e cila edhe buron. Mendoj se edhe kjo është një prej pengesave kryesore që pengohen të ardhurat të vijnë në Muftini, sikur që është rasti i zekatit dhe rasti i fitrave. Një moment tjetër që do ta potencoj është edhe vetëdija e atyre të cilët kanë kapital për të dhënë zekat dhe nuk mendojnë ose nuk janë të bindur për të dhënë zekat. Unë mendoj se zekati, se kështu e thotë Zoti kjo nuk është mendimi im, njeriut nuk ia pakëson pasurinë, zekati ia shton; fjala zekat do të thotë pastrim dhe shtim i pasurisë, për arsye se njeriu që do të jap zekatin, nëse e llogarit, ndoshta shumë herë më tepër harxhon në rrugët që do të bie pishman, ndërsa dhënia e zekatit asnjëherë nuk i bie pishman pse e ka dhënë një zekat të tillë, një njeri ose një biznesmen I ynë.

Portalb:  Mund të thoni se ka rënë besimi në institucionet e Bashkësisë Fetare Islame apo thjeshtë nuk janë mirë të informuar qytetarët?

Q.Nesimi: Unë nuk do të kisha dashur që ta them se ka rënë besimi tek institucionet, por këta ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në jetën shoqërore, politike, sociale, ekonomike, njerëzit jo vetëm ndaj Bashkësisë Islame, por sikur janë të lodhur në përgjithësi, prandaj edhe ne e kemi për obligim që të mbërrijmë tek ata dhe t’iu tregojmë se ju nëse keni pas rast që keni dështuar në e parë, duhet të jeni të bindur se nuk do të dështoni në hapin e dytë.

Portalb: Dhe ku çdo gjë është e politizuar në këtë sferë, a po politizohet feja?

Q.Nesimi: Jo. Këtu në Myftininë e Tetovës falë saj që edhe unë kur jam zgjedhur, nuk ka pasur asnjë përzierje politike, nuk ka pasur asnjë tendencë për ndonjë përzierje politike, as edhe tendencë individuale që të ketë një përzierje politike dhe mua ky fakt më gëzon. Ne më shumë mund t’i shërbejmë shoqërisë si institucione kështu siç jemi, se sa në ndonjë formë tjetër. Po më gëzon fakti edhe i pjekurisë politike që gjithë ata nuk janë të interesuar për ta politizuar, por janë të interesuar që të ndihmohet institucioni, që të jetë në formë autonome në veprimtarinë e tij.

Portalb: A po fetarizohet atëherë politika?

Q.Nesimi: Nuk kisha thënë se fetarizohet politika, për arsye se ne nuk kemi nevojë as ta fetarizojmë politikën, as ta politizojmë institucionin fetar, për arsye po të isha unë ndonjë lider politik, do të kishim thënë se fetarizohet politika, por ne jemi një subjekt që veprojmë në këtë shoqëri, politika dhe politikanët janë elemente që shërbejnë në një sferë tjetër, në Tetovë, unë kisha thënë se as nuk ekziston fetarizimi i politikës dhe as politizimi i institucionit fetarë.

Portalb: Cila do të ishte ajo porosia për popullatën e Myftinisë së Tetovës, për gjithë popullatën muslimane në Maqedoni?

Q.Nesimi: Lutje të vetme që e kam për vetveten dhe për të gjithë besimtarët, për të gjithë vëllezërit, që këtë muaj ta shfrytëzojnë maksimalisht duke bërë ibadet, duke e pasur sa më afër Zotin, duke i pasur sa më afër njerëzit, duke iu shërbyer njerëzve në forma të ndryshme, duke jetuar bashkërisht dhe duke luajtur një rol gjithmonë sa më pozitiv. Kjo nuk është vetëm prej syfyri deri në iftar kur ne agjërojmë, kjo bëhet edhe në periudha të tjera, domethënë brenda 24 orëve. Për arsye se këtë Zoti na e ka dhënë si një mundësi, që ne me përfundimin e Ramazanit të jemi njerëz pak më të përgatitur shpirtërisht dhe njerëzisht, se sa kur fillon Ramazani.

Lajme të ngjashme

Back to top button