Anulohet samiti i BE-së, eurogrupi mblidhet në orën 16:00

U deshën gati 9 orë dramatike që një samit tjetër i Eurogroupit për Greqinë të dështonte përsëri duke treguar tashmë se sa të përçarë janë edhe europianët përsa i përket çështjes greke.

Ndërsa përfaqësuesit e tre institucioneve BE, BQE dhe FMN janë shprehur pozitivisht për planin e ri të reformave greke, në të cilin janë shtuar edhe disa hollësi të tjera si dhe një limit kohor i zbatimit të tyre, Gjermania dhe një numër i shteteve veriore dhe lindore të Evropës që e përkrahin atë e kanë kundërshtuar duke kërkuar masa të reja dhe mbi të gjitha kanë shprehur mosbesim të plotë ndaj qeverisë Tsipras, transmeton Top Channel.

Burime qeveritare greke bëjnë me dije se për disa arsye që nuk lidhen me reformat, disa vende të Eurozonës nuk duan që të arrihet një marrëveshje dhe duan Athinën jashtë monedhës së përbashkët.

Plani i ministrit gjerman të Financave, Ëolfgang Shcauble, për një dalje për 5 vjet të Greqisë nga Eurozona që u zbulua nga gazeta ‘FAZ’ gjatë punimeve të samitit, ishte një tronditje e madhe për grekët. Aq më tepër kur u mësua se ky plan që zyrtarisht nuk u hodh asnjëherë në tryezë kishte miratimin e kancelares Merkel dhe zv/ kancelarit Gabriel.

Ministri gjerman, pasi ka shfaqur kundërshtimet e tij dhe mosbesimin për propozimet e Athinës, ka kërkuar si kusht për pranimin e tyre të miratojë parlamenti grek të paktën gjashtë reforma kyçe që kanë të bëjnë me rritjen e TVSH-së, privatizimet, sistemin e pensioneve dhe atë të taksave, liberalizimin e profesioneve dhe ngrirjen e gjithë kontratave të punës.

Por, ai ka kërkuar paralelisht edhe krijimin e një fondi me qendër në Luksemburg, ku të hipotekohen pasuri shtetërore të Greqisë me vlerë mbi 50 miliardë euro, të cilat do të jenë garanci nëse grekët nuk shlyejnë detyrimet.

“Mos na merrni për budallenj”, ka qenë shprehja që z. Shcauble i ka thënë kreut të BQE-së, Mario Draghi, kur ky i fundit shpjegonte lëvizjet e deritanishme të organizmit që drejton dhe ka detyruar presidentin e Eurgoupit të mbyllë punimet e samitit të djeshëm për të qetësuar situatën.

Ndërsa miliona grekë ndjekin me ankth zhvillimet nga Brukseli, mediat e huaja japin një pasqyrë edhe të balancave politike në Europë dhe jashtë saj. Sipas tyre, Franca dhe Italia duan të ndalojnë skepticizmin, ndasitë dhe rolin hegjemonik që kultivon në BE performanca e Gjermanisë dhe e satelitëve të saj që po shkon deri në poshtërimin e Greqisë, siç thuhet në disa media italiane. Në këtë përpjekje, ato kanë edhe mbështetjen e SHBA-së dhe Izraelit, që për interesat e tyre gjeopolitike duan Athinën brenda Eurozonës.

Anulimi në çastin e fundit i samitit të lartë të 28 vendeve anëtare të BE-së interpretohet si një ogur i mirë se do të jetë Eurogroupi që do të zgjidhë dhe aprovojë planin për Greqinë.

Ndërsa FMN-ja që kërkon me ngulm një ristrukturim të borxhit grek vlerëson paketën e ndihmës për Greqinë në mbi 51 miliardë euro, mediat gjermane e çojnë këtë shumë deri në 100 miliardë, pasi kërkohet edhe rikapitalizimi i bankave.

Lajme të ngjashme

Back to top button