BE: Në Srebrenicë janë shkruar faqet më të errëta të kaluarës së afërt evropiane

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë Federica Mogherini përmes një video mesazhi, kushtuar 20-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, tha se Srebrenica ishte faqja më e errët e të kaluarës së afërt evropiane, raporton Anadolu Agency (AA).

“Në fushat e Srebrenicës janë shkruar faqet më të errëta të historisë së kohëve të fundit evropiane. Sot, ne shenojmë 20 vjetorin e masakrës. Koha dhe fjalët nuk mund të shërojnë dhimbjen e nënave. Por fjalët mund të na kujtojnë atë çfarë Evropa duhet të përfaqësoj”, tha Mogherini duke shtuar se njerëzit pas Luftës së Ftohtë kishin shpresuar paqen dhe sigurinë.

“Ne ëndërruam një kontinent të bashkuar, ndërsa u zgjuam me ankth të rëndë. Në Srebrenicë, Evropa ballafaqohet me turpin të cilin e ka përjetuar. Jo më luftëra në Evropë, jo më gjenocid. Srebrenica është një thirrje që të bëhet diçka, dhe kjo është që të mos lejojmë që diçka e tillë të përsëritet”, theksoi Mogherini duke vënë në dukje se rruga evropiane është rruga e vetme që siguron paqen në kontinent.

Paralajmëroi se ndarjet mes njerëzve mund të shkaktojë vetëm konflikte të reja.

“Duke ndarë njerëzit në Evropë në ‘ne’ dhe ‘ata’, vetëm do të shkaktojmë konflikte të reja. Të krishterët, muslimanët, serbët, kroatët, boshnjakët, emigrantët dhe vendasit, të cilët kanë për qëllim shtete etnikisht të pastërta nuk do të sjellin paqe. Duhet të bëjmë çdo gjë të mundshme për të mundësuar të gjitha komuniteteve që të bashkohen dhe jo të ndahen. BE nënkupton që të jetojmë së bashku. Prandaj bashkëpunojmë me të gjithë Ballkanin Perëndimor për të ruajtur rrugën evropiane. Të gjitha 28 shtetet anëtare dhe të gjitha institucionet evropiane mbështesin perspektivën evropiane të Bosnjës dhe Hercegovinës për t’u bërë pjesë e BE-së”, tha zyrtarja e lartë e BE-së.

Mogherini përshkak të negociatave përfundimtare me Iranin në Vjenë nuk do të mund të marrë pjesë në përkujtimin e 20 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, që po mbahet sot në Qendrën Përkujtimore të Potoçarit.

Lajme të ngjashme

Back to top button