Merita Maksuti: Srebrenica është ndërgjegjja e botës, gjenocidi nuk duhet të harrohet

Lufta që ndodhi fatkeqësisht në Bosnje dhe Hercegovinë mori shumë viktima. Shumë njerëz humbën të dashurit e tyre, për të cilët sot e kësaj dite vuajnë. Disa prej tyre fatmirësisht shpëtuan. Edhe pse kaluan dy dekada nga lufta e Bosnje dhe Hercegovinës, ata që shpëtuan gjallë kujtojnë momentet e vështira, të cilët siç thonë, u shërbejnë si mësim në jetë. Ata nuk dëshirojnë që ato ngjarje asnjëherë të përsëritet, por jo vetëm atyre, edhe askujt tjetër.

Merita Maksuti është arkitekte nga Shkupi. Për nga përkatësia shqiptare, por një pjesë të madhe të jetës së saj e ka kaluar në Bosnje dhe Hercegovinë. Ajo është aktiviste qytetare dhe mbrojtëse e të drejtave të njeriut. Në një intervistë për Anadolua Agency (AA) ajo tregon për përvojat e saj të luftës dhe kujtimet për gjenocidin në Sebrenicë.

Merita thekson se një pjesë më të madhe të jetës së saj e ka kaluar në këtë vend të bukur, një vend i cili siç thotë, është i njohur për ngjarjet luftarake. Ajo shton se këto data që rrjedhin çdo vit, posaçërisht 11 korriku kujton një ditë të dhimbshme dhe të paharueshme për të gjithë njerëzimin. Merita duke i rikujtuar kohërat e luftës, thotë se kjo është e pashmangshme dhe ajo përvojë jeton dhe përjetohet nga ata njerëz si traumë.

“Me të vërtetë ajo luftë më ka prekur shumë. Aktivitetet e mia të mëvonshme kanë qenë të fokusuara më tepër në punët humanitare, edhe pse me profesion jam arkitekte. Është lufta në Bosnje që më motivoi të merrem me këto aktivitete humanitare, të njëjtën jam duke punuar me vite në Maqedoni dhe në Bosnje, merrem edhe me aktivitete qytetare dhe mendoj se e gjithë kjo përvojë më ka definuar mua si personalitet”, thekson Merita.

Merita është njëra nga të shumtit që kanë marrë pjesë në përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë. Ajo thotë se është shumë e vështirë, por është mirë të përballesh me të vërtetën, pa marrë parasysh sa e dhimbshme është ajo.

“Kam pasur raste, edhe pse ka qenë dëshira ime që të përballem me ato dhimbje të mëdha, me ato të cilat kanë ndodhur në Srebrenicë, megjithatë ajo ka qenë diçka e pa mendueshme për racën njerëzore dhe për çdo njeri normal. Vitin e kaluar kam marrë pjesë në 19 vjetorin e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë. Kam qenë shumë e vendosur që t’i vizitoj varrezat, edhe pse ka qenë shumë e vështira që ta marrë atë hap. Vetëm mendoni sa rëndë është për nënat e Srebrenicës të cilat janë duke e përjetuar atë për 20 vite dhe sot e kësaj dite jetojnë me atë dhimbje. Unë e dua shumë të vërtetën, prandaj mendoj se duhet të mbahet përkujtimi i gjenocidit në Srebrenicë dhe dëshiroj që asnjëherë të mos ndërpritet që të flitet për këtë ngjarje, sepse kjo nuk duhet të harohet”, deklaron Merita Maksuti.

– Merita: Gjërat duhet t’i tregojmë me emër të vërtetë nëse dëshirojmë një të ardhme më të ndritshme –

Sipas saj, njerëzit kanë problem me definimin dhe termin me atë çka ka ndodhur në Srebrenicë. Ajo bindshëm atë e quan një “gjenocid”.

“Disa njerëz kanë problem me termin gjenocid, ndërsa të tjerët e kanë përjetuar gjenocidin, prandaj është e kotë që të flitet. Për këtë arsye është e rëndësishme që të përkujtohet edhe ky 20 vjetor i Srebrenicës, diçka që na përkujton në atë dhimbje të madhe të atyre njerëzve të Srebrenicës, të gjithë atyre njerëzve të cilët kanë qenë viktimë e asaj lufte. Shumë gjenerata e kanë përjetuar atë luftë”, deklaron Merita, e cila shton se nuk është vetëm Bosnje dhe Hercegovina, por është edhe Kroacia, Kosova dhe në vitin 2000 edhe Maqedonia.

Merita në vijim të fjalës së saj thotë se përvoja e saj personale tregon se njerëzit duhet ta shikojnë njëri tjetrin si njerëz, pasi që siç thotë ajo, e gjithë kjo që ka ndodhur është një dëshmi se si njeriu mund të jetë jonjerëzor, por nga ana tjetër si një njeri mund të jetë një njeri. Për këtë arsye, Merita thotë se gjithmon krimet duhet t’i rikujtojmë dhe t’i tregojmë me emër të vërtetë.

– Gjenocidi është ndërgjegjja e botës dhe nuk guxojmë ta harrojmë –

Sipas Meritës gjenocidi në Srebrenicë është ndërgjegjja e botës dhe ato ndodhi nuk duhet, por edhe nuk guxojmë t’i harojmë. Mirëpo, për të vazhduar më tej dhe për të çliruar veten tonë Merita mendon se duhet pranuar ajo çka ka ndodhur, ndërsa kjo është edhe një proces.

“Duke bërë këtë punë ne kalojmë nëpër një proces të shërimit, thjeshtë shërojmë veten duke e pranuar atë që me të vërtetë ka ndodhur dhe duke e treguar atë me emër të vërtetë, e jo duke e taktizuar apo politizuar dhe të vendosim veto për atë. E papranueshme është për dikë që ka humbur tre gjenerata, ndërsa për dikë të paraqitet vetëm si një term gjenocid. Të shfarosin një popull, me qëllimin e zhdukjes së tij, njëjtë si ajo që u ka ndodhur hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, u ka ndodhur edhe njerëzve të Srebrenicës”, shprehet Merita.

Merita në përfundim të fjalës së saj, thotë se për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, duhet pikë së pari të jemi të sinqertë me veton tonë, por edhe me të tjerët, ndërsa më tej ajo thekson se, “Të gjithë ne në jetët tona përjetojmë një tragjedi dhe humbim të dashurit në një apo në mënyrë tjetër, por vetëm ata të cilët e kanë humbur dikë në luftë e dinë çfarë ndjenje është ajo. Unë kam pasur fat të jem e gjallë gjatë gjithë atyre ngjarjeve dhe të jem e shpëtuar së bashkë me babain tim, të dalim nga ai qytet Bosanski Novi dhe tash të gjendem këtu ku jam, për çka i jam falenderues Zotit”.`

Lajme të ngjashme

Back to top button