Komuniteti shqiptar nga SHBA ndihmon “Lagjen e trimave”

Banorëve të “Lagjes së trimave” në Kumanovë, dy muaj pas përleshjeve të armatosura u ka arritur një donacion nga komuniteti shqiptar në Çikago të ShBA-ve.

Banorëve të “Lagjes së trimave” në Kumanovë, dy muaj pas përleshjeve të armatosura u ka arritur një donacion nga komuniteti shqiptar në Çikago të ShBA-ve në vlerë prej mbi 27 mijë dollarësh amerikane.
Donacioni u është ndarë 68 familjeve të prekura gjatë përleshjeve të armatosura.
Ndërkohë që sot “Lagjen e trimave” e ka vizituar Viktor Haxhiavram, nënkryetar i Asociacionit të Qyteteve Bartëse të Mesazheve për Paqe pranë KB-së, i cili drejtpërsëdrejti në bisedë me qytetarët u njoftua për ndodhitë e para dy muajve.
“Jam i befasuar nga të gjithë ajo që pashë se çfarë ka ndodhur në Kumanovë para dy muajsh. Nuk e kam të qartë se çfarë ka ndodhur. Duket si luftë, si invazion. Shpresoj se muajve të ardhshëm situata do të stabilizohet dhe gjithçka do t’i kthehet normalitetit dhe bashkëjetesa të ruhet siç ka qenë deri më tani. Unë atë që pashë do ta regjistroj në raportin që do ta dërgoj në selinë e Asociacionit pranë Kombeve të Bashkuara”- tha nënkryetari i Asociacionit të Qyteteve Bartëse të Mesazheve për Paqe pranë KB-së, Viktor Haxhiavram.
Në “Lagjen e trimave” ende po vazhdon pastrimi i terrenit nga gërmadhat, kurse qytetarët janë në pritje të transferimit të parave në formë kompensimi për dëmet e shkaktuara dhe të fillojnë menjëherë rindërtimin e shtëpive të tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button