STROFULLA E DJALLIT

Pjesën më të bukur të jetës Shpëtim Pollozhani e kaloi nëpër kazamatet sllave, e ngrysi në vuajtje. Fatmirësisht mbijetoi xhehenemët bolshevikë dhe rrnoi për me tregue.

Pikërisht këtë bën vepra e tij “Në strofullën e djallit”: sjell dëshmitë e tmerreve çnjerëzore të ndodhura në mesjetën e shekullit XX, në zëndanet  ku lanë shëndetin dhe rininë disa prej djemve më të zgjedhur, shpirtrave më prometeikë, titanëve më shpirtvullkanë të racës sonë.
Në 9 kapitujt e veprës së Shpëtim Pollozhanit shpalosen 9 rrathët e ferrit dantesk, kullojnë gjak 9 plagët e kreshnikëve të baladës, vajtojnë fatet e vëllezërve të tyre 9 motrat e mbetura qyqe.

Ajo që befason lexuesin e librit është dora e sigurtë dhe tejet e talentuar e autorit të saj, saktësia e të dhënave, kronologjia e ngjarjeve, bukuria dhe qartësia e shkrimit, eleganca metodologjike, stili i veçantë dhe gjithçka tjetër e denjë për një shkrimtar të talentuar, për një mjeshtër, i cili mund të qortohet vetëm për një gabim: pse nuk shkruajti më herët dhe më shumë se kaq.
Duke lexuar librin tronditës dhe të vëçantë të Shpëtim Pollozhanit, përjetimet e autorit dhe të mijëra të burgosurve të tjerë shqiptarë, me të cilët qenë mbushur burgjet ish-jugosllave, imponohet vetvetishëm pyetja: në ç’shkallë do të kishte arritur një autor përmasash të këtilla po të kishte pasur fatin të jetonte në një vend pa hiena, nën një regjim më të fisëm, në një shtet që nuk i ndrydh vullnetet e  njerëzve me mekanizmat e hurit dhe të litarit?
Pararedësit tanë, të cilët kanë përjetuar dhuna të përçudshme prej se mbahet mend, nuk kan lënë dëshmi të shkruara për plagët, vuajtjet dhe sakrificat e parreshtura, aspiratat dhe djegën për një jetë më të dinjitetshme, për pak më shumë dritë diellore.
Natyrisht, asnjë vepër nuk mund të shpërfaqë në plotninë e tyre makthet e gjenocidit shumëdimensional të shtazëve me pamje njerëzish, por, dëshmitë e shkruara mbi këto monstruozitete nuk lejojnë pasaardhësit që të ngatërrojnë kuptirmet e gjërave për t’konceptuar pushtuesit si çlirimtarë, xhelatët si shpëtimtarë, rrobërinë si liri…

Veprat si kjo e Shpëtim Pollozhanit janë të domosdoshme për t’mos e harruar të kaluarën e hidhur, sepse acaret që harrohen përsëriten pashmangshëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button