Llafologjia e politikës shqiptare në Maqedoni

Duket sikur politikanët shqiptarë nga të dyja forcat politike si Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, në bisedimet e fundit për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, janë vënë në garë me njëri-tjetrin, se cila nga të dy qenka më i vendosur në kërkesat dhe kushtet e tyre para kryeministrit Gruevski si lider dhe parti që mbron interesat kombëtare të shqiptarëve. Ashtu siç e kemi parë që nga fillimi i pluralizmit politik në Maqedoni e deri më sot, subjektet politike shqiptare kanë mbrojtur interesat e tyre të ngushta klanore dhe partiake para atyre kombëtare, me pjesëmarrjet pa kushte në qeveritë e koalicioneve. Me një fjalë do të thotë se ata janë “bërë urë”, për çdo mjet transportues maqedonas që kalonte mbi kurrizin e rraskapitur shqiptar.

Të durojmë padrejtësinë dhe shtypjen maqedonase derisa të bindet Evropa se shqiptarët e Maqedonisë nuk trajtohen drejtë nga pushteti maqedonas, udhëzonte me filozofinë e saj mendësia e mykur e DUI-DPA! Në këto bisedime DUI, për të shpëtuar veten nga katandisja ku është damkosur dhe katranosur, kërkon të rehabilitohet, ku me agjendën e saj të negociatave përfshihet më këto pika, siç janë: politikat gjuhësore, shpërndarja e barabartë e buxhetit, zhvillimi i barabartë rajonal, konsesualiteti, programi 24 orësh i televizionit shtetëror në gjuhën shqipe si dhe simbolet kombëtare etj. Vetëm pas gjithë atij represionit çerek shekullor antishqiptar DUI-it, dhe integristëve të saj u bie ndërmend dhe kujtohen se shqiptarët nuk janë element konstituiv i shtetit e as të barabartë me sllavo-maqedonasit.

Arnimet e mundshme në kushtetutë apo ndonjë marrëveshje tjetër si ajo e Ohrit, ose ndonjë “express” marrëveshje pa barazinë e plotë të shqiptarëve me sllavo-maqedonasit në Maqedoni janë të papranueshme. Mos reagimi dhe heshtja për çështje madhore si këto të pabarazisë etnike në Maqedoni leverdis më shumë se sa një rebelim i mundshëm subjektit politik shqiptar kundër qeverisë maqedonase. Një reagim i pazakontë i cilit do subjekt shqiptar si mbrojtës i interesit kombëtar duke këmbëngulur në barazinë etnike dhe çështje të tjera të interesit kombëtar, do të sillte “tërbimin” kryeministrit maqedonas, për pasojë do i dëbonte nga koalicioni partinë shqiptare si jo luajale ndaj tij. Dakordimin e palëve në këto bisedime për krijimin e një qeverie të përkohshme dhe përcaktimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për dhënien fund të krizës politike në vend nuk duhet të na bëj të ushqejmë iluzione se, me fitoren e mundshme opozitës maqedonase do të zgjidhet çështja shqiptare.

Përkundrazi ata janë dy anët e të njëjtës monedhe. Shqiptarët, tani e tutje nuk do të presin e as shpresojnë nga këto subjekte politike shqiptare që kanë groposur interesat kombëtare shqiptare për më shumë së dy dekada, të zgjidhin çështjen e barazisë dhe formulimit të ri të shtetit si dy bashkësitë më të mëdha në vend, shqiptarët dhe maqedonasit. DUI e udhëhequr nga Ali Ahmeti dhe DPA, e udhëhequr nga Menduh Thaçi me suitën e hienave të babëzitura pas pushtetit, përfundimisht u dëshmuan si varrmihës të çështjes shqiptare. Ata nuk i përfaqësojnë më shqiptarët as interesat e tyre.

Si imperativ i kohës dhe interes i shqiptarëve në këtë vend është përzgjedhja e burrave dhe grave, djemve dhe vajzave të dëshmuara kombëtarisht si më të denjë të popullit tonë, si përfaqësues të saj në Parlamentin e ardhshëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button