Shkëndija dhe Renova në kërkim të mrekullisë

Të parët që do të fillojnë ndeshjet kthyese të Ligës së Evropës nga skuadrat e Maqedonisë do të jenë futbollistët e Renovës, të cilët tani më janë gati për të provuar shansin nëse do të arrijnë të bëjnë befason dhe të përmbysin rezultatin negativ nga ndeshja e parë në Shkup.
Edhe pse në këtë ndeshje favorit absolut janë lojtarët e Dacia nga Moldavia, trajneri i Renovës ka potencuar se duhet shpresuar deri në fund dhe se në asnjë moment nuk kanë udhëtuar për në Skoci me flamur të bardhë. Ndeshja Renova – Dacia luhet në orën 17:00.

Futbollistët e Shkëndijës kanë shijuar stadiumin ‘Pitodri’ 24 orë para zhvillimit të ndeshjes së kthimit me Aberdinin në kuadër të xhiros së parë të eliminatoreve për Liga Evropa. ‘Kuqezinjtë’ zhvilluan seancën e fundit stërvitore para duelit të sontëm, ndërsa stafi teknik me futbollistët rumbullaksuan përgatitjet për revanshin me Aberdinin. Ekipi reflekton optimizëm por edhe maturi para ndeshjes së kthimit, duke potencuar se skocezët mbesin favoritë në këtë duel. Edhe pse 1:1 të Shkupit favorizojnë Aberdinin, barazimi len të hapur gjithçka dhe Shkëndija do të provojë shanset e veta në këtë ndeshje.

Trajneri Shpëtim Duro ka pastruar edhe dilemat e fundit në lidhje me formacionin, ndërsa në takimin me gazetarë ka folur me maturi për shanset e Shkëndijës në këtë përballje, duke theksuar se Aberdini mbetet favorit falë potencialit por edhe dallimit në nivel ndaj dy ekipeve.
“Ne këtu kemi ardhur për të demonstruar se kemi kapacitet për të luajtur futboll, mirëpo duhet të jemi të sinqertë dhe të pranojmë se Aberdini është favorit. Jo vetëm për shkak të rezultatit në ndeshjen e parë dhe golit të tyre në transfertë, por edhe për shkak të nivelit që ka kjo skuadër nga e kaluara dhe e tashmja”, deklaroi mes tjerash trajneri i Shkëndijës, Shpëtim Duro në takimin me gazetarë në stadiumin ‘Pitodri’ në Aberdin.
Sipas informatave të fundit deri tani janë shitur 12 000 bileta, ndërsa pritet që ndeshja të ndiqet nga rreth 17 000 spektatorë. Përballja kthyese Aberdin-Shkëndija luhet sonte me fillim në orën 20:45.

Sonte në Shkup, në stadiumin Filipi i Dytë luan ndeshjen kthyese edhe Rabotniçki ndaj Flora Talin ku mysafirët kanë epërsi me një gol, ndërsa edhe skuadrat që përfaqësojnë Shqipërinë luajnë pikërisht sot. Kukësi është mysafire e Torpedos dhe luan në orën 18.00 ndërsa ka avantazh me dy gola epërsi pas ndeshjes së parë 2:0, Laçi luan në Azerbajxhan me Inter Baku në orën 18.00 dhe rezultati 1:1 nuk i favorizon shqiptarët, ndërsa Partizani në Tiranë është nikoqire e Stromsgodset nga Norvegjiadhe do të mundihet të përmbysë në disavantazh pas rezultatit 3:1 nga ndeshja e parë në Norvegji. / Portalb /

Lajme të ngjashme

Back to top button