Mijëra persona në “Marshin e Paqes” nisen për në Srebrenicë, për 20-vjetorin e gjenocidit

Sot në Bosnje dhe Hercegovinë rreth tetë mijë pjesëmarrës nga fshati Nezuk, në lindje të vendit, në të cilin në vitin 1995 kanë mbërritur mijëra banorë të Srebrenicës, të cilët përmes pyjeve kaluan në territorin e lirë, janë nisur në “Marshin e Paqes – Srebrenicë 2015” drejt Potoçareve të Srebrenicës për të kujtuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë në korrikun e vitit 1995, raporton Anadolu Agency (AA).

Atyre në rrugën për në Srebrenicë, të gjatë 100 kilometra, do t’u bashkohen edhe disa grupe tjera pjesëmarrësish. Në “Marshin e Paqes” marrin pjesë qytetarë të shumtë nga Bosnja dhe Hercegovina dhe e gjithë bota. “Marshi i Paqes” pritet të mbërrijë në Potoçari më 10 korrik, një ditë para ceremonisë përkujtimore dhe varrimit të 136 viktimave të identifikuara gjatë këtij viti.

Para se të nisnin rrugëtimin, që do të zgjatë tre ditë, pjesëmarrësit e “Marshit të Paqes” me një minutë heshtje nderuan viktimat e gjenocidit të Srebrenicës. Qytetarët zakonisht ecin rrugën e kundërt të rreth 15.000 burrave dhe djemve të cilët, në grupe të ndara, kanë ikur nga Srebrenica kur ajo ka rënë në duart e ushtrisë së Republikës Srpska (entitet në Bosnje dhe Hercegovinë).

Edhe sivjet në krye të kolonës ndodhen banorët e Srebrenicës të cilët kanë përjetuar gjenocidin e vitit 1995.

“Marshi i Paqes”, përveç ceremonisë përkujtimore dhe varrimit në Potoçari më 11 korrik, është një nga aktivitetet kryesore të përvjetorit të gjenocidit të bërë ndaj boshnjakëve të Srebrenicës.

Kryetari i komunës së Srebrenicës, Qamil Durakoviç duke iu drejtuar pjesëmarrësve tha se ky është “marshi planetar dhe shumëkombësh”, dhe shprehu bindjen se shumica e pjesëmarrësve ndodhen aty për një qëllim, e ai është që të ndjejnë së paku një pjesë të asaj çfarë kanë ndjerë banorët e Srebrenicës në vitin 1995.

– “Njerëz të plagosur na kanë lutur për t’i ndihmuar, por nuk kemi mundur” –

Reshid Memisheviç është një prej atyre i cili nga Nezuku është nisur sot rrugës për në Srebrenicë, shtigjeve nëpërmjet të cilave pas ecjes tetëditëshe në korrik të 1995 arriti në zonën e lirë. Ashtu arriti që ti mbijetojë gjenocidit. Memisheviç në një bisedë me Anadolu Agency kujton ditët kur kolona prej 15.000 njerëzve u nis nga fshati Shushnjari.

Ai përshkroi tmerret me të cilat janë përballur në “rrugën e shpëtimit”: nga sulmet altirelike, helmimi nga gazi helmues, therjeve dhe prerjeve të kokës së njerëzve…

“Njerëz të plagosur na kanë lutur për t’i ndihmuar, por nuk kemi mundur. Duhej të vazhdonim. Po të kisha mundur do ta ndihmoja vëllain tim, kushërinjtë, xhaxhallarët… Vazhdimisht lëviznim, ndërsa në mendjen e kisha gruan time dhe fëmijët të cilët ishin në Potoçari, në duart e kriminelëve”, kujton Memisheviç tmerret e atyre ditëve.

– Disa prej të plagosurve vdisnin edhe në territorin e lirë – 

Banorët e Nezukut, sot 20 vjet më pas, me dhimbje të madhe dhe pikëllim kujtojnë ditën kur kanë pritur disa prej atyre që arritën të mbijetojnë tmerret e atij korriku të tmerrshëm. Tregojnë se kanë parë tmerret dhe krimet që më parë nuk kanë mundur as të imagjinojnë.

Mirsad Sallihoviç me babain Ramo dhe bashkëshorten Umka ishte ndër shtëpitë e para në Nezuk, ku kanë arritur banorët e rraskapitur dhe të uritur të Srebrenicës, të cilët me ditë të tëra por edhe muaj përmes pyjeve kalonin në territorin e çliruar.

“Nëna ime dhe gruaja i kanë pranuar i kanë ndihmuar ata. U kemi ndarë gjithçka që kemi mundur. Ishte e tmerrshme. Plagët e të plagosurve të cilët i sollën ishin të tmerrshme. Grupet me të plagosurit rënd vdisnin para shtëpive. Ata që ishin pak më të fortë vetëm kanë kërkuar familjet që kishin ardhur më parë”, kujton Sallihoviç dhe shton se edhe 20 vite më pas tronditjet e korrikut nuk i shlyhen nga mendja.

Me manifestimin, i cili organizohet nga viti 2005, shënohen vrasjet masive të boshnjakëve të cilët pas rënies së Srebrenicës në korrik të vitit 1995 kanë tentuar të arrijnë në territorin e çliruar në rajonin e Tuzllës. Në Marshin e sivjetshëm të paqes marrin pjesë rreth 70 për qind e të rinjve, të moshave 15 deri 30 vjeçare.

“Marshi i Paqes” u bë manifestim ndërkombëtar dhe numri i atyre që çdo vit i bashkohen nga mbarë bota është duke u rritur. Vitin e kaluar morën pjesë rreth 5.000 njerëz.

Lajme të ngjashme

Back to top button