Merkel fillon vizitën në Shqipëri, pritet me nderime të larta shtetërore

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka mbërritur në Shqipëri sipas axhendës së përcaktuar, ku pasi ka lënë aeroportin “Nënë Tereza”, iu është rezervuar një ceremoni mirëseardhjeje me nderimet më të larta shtetërore në Tiranë, duke filluar në këtë mënyrë edhe vizitën e saj zyrtare në Shqipëri, e para e një drejtuesi të qeverisë së Gjermanisë, raporton Anadolu Agency AA.

Ceremonia zyrtare e pritjes së kancelares gjermane është zhvilluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë godinës së Këshillit të Ministrave. Pas kalimit të nderit dhe himnit të dy vendeve, pritet të vazhdojë takimi bilateral në selinë e Qeverisë Shqiptare.

Rama dhe Merkel pritet të mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat, ku më pas ajo do të takohet edhe me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Ndërkohë në kuadër të vizitës zyrtare të Kancelares gjermane, Angela Merkel do të organizohet konferenca e biznesit Shqipëri – Gjermani. Mësohet se kjo konferencë do të hapet me fjalën e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes së Shqipërisë, Arben Ahmetaj; sekretarit të Shtetit në Ministrinë Federale të Ekonomisë dhe Energjisë, Rainer Baake dhe presidentit të Dhomës Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri (DIHA), Rolf Castro-Vasquez dhe më pas do të vijoje me tre panele.

Konferenca do të mbyllet me fjalën e Kryeministrit Rama dhe Kancelares Merkel për “Perspektivat Ekonomike dhe Politike të Bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë”.

Për vizitën e Merkel në Shqipëri, Drejtoria e Policisë e Qarkut Tiranë, ka ndërmarrë një sërë masash për garantimin e sigurisë dhe rendit gjatë qëndrimit disa orë të kacelares Merkel në Tiranë. Në kuadrin e masave të marra në disa segmente rrugore do ketë bllokim të qarkullimit të mjeteve dhe kufizime të qarkullimit.

Lajme të ngjashme

Back to top button